Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kanë kaluar tre ditë nga incidenti i rëndë në Lazarat, e megjithatë asnjë prej organeve shtetërore nuk kanë shkuar në fshat për të bërë hetime profesionale. Ministria e Rendit sikur të jetë një organ shtypi dhe jo një institucion që përgjigjet direkt për ngjarje të tilla, bënë komente, publikon foto dhe shpërndan informacione.
Asnjë i ndaluar, asnjë rrënjë kanabis që siç pretendohet është mbjellë me shumicë, asnjë armë e sekuestruar, vetëm deklarata sikur të bëhet fjale për ndonjë territor përtej kufirit ku policia jonë nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që policia të tregojë fotot e parcelave me drogë dhe të ketë paturpësinë që të mos ndërhyjë. Vetëm këtu mund të ndodh që të zbrazen kallashnikovë e pistoleta dhe Ministria e Rendit të tregojë vrimat pa guxuar të thotë se përse nuk i mbledh këto armë.
Ministria e Rendit nuk është për t’u ankuar e qaravitur se një grusht njerëzish e kanë qëlluar, por për të garantuar rendin për pjesën tjetër të popullsisë që s’do krisma, armë, gjak e viktima. Nëse nuk e kryen dot këtë detyrë, patjetër që titullarët të japin dorëheqjen. Duhet të pranojnë se nuk e kontrollojnë dot gjithë territorin e Shqipërisë dhe t’ia lënë vendin dikujt tjetër, që të shtrëngojë në duar ligjin dhe jo aparatin fotografik./tvklan.al