Kjo është makina që policia gjeti pak kohë pas atentatit mafioz të ndodhur këtë të premte në Fushë-Krujë, ku mbeti i vrarë Gentjan Bejtja. Makina u gjet në fshatin Hasan dhe brenda saj sipas gazetarit Besar Bajraktaraj mësohet të jenë gjetur 4 kallashnikovë.
42-vjeçari Bejtja ndodhej brenda një sere në oborrin e shtëpisë së tij në Larushkë, kur u qëllua me breshëri plumbash (Lexo më shumë). Në këtë atentat dyshohet të kenë marrë pjesë të paktën 3 persona.
Sipas gazetarit Bajraktaraj, dyshimet e para janë se Bejtja i ka pikasur autorët dhe ka tentuar të largohet, pasi në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur shenja gjaku deri në pjesën e pasme.
Gentjan Bejtja i kishte shpëtuar 3 atentateve në të shkuarën. Më i rëndi ishte ai i 4 Korrikut të vitit 2023. Atentati iu bë po në banesë dhe nga të shtënat mbeti i vrarë kunati i Bejtjas dhe u plagosën dy djemtë e tij të mitur.
Pikërisht për këtë ngjarje Bejtja kërkohej edhe nga policia, që deri më sot nuk kishte mundur të binte në gjurmët e tij.
Paraprakisht larja e hesapeve duket se është pista kryesore e hetuesve për vrasjen e Gentjan Bejtjas./tvklan.al