Petrit Karabina: “Në nenin 8 që është pjesë e Kushtetutës thotë: Shtetasi shqiptar kudo që ndodhet është i detyruar të kryejë shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji. Nga tani deri kur ne të përfundojmë projektin e ushtarit profesionist do të zbatohet shërbimi i detyruar ushtarak.”
Interpretimet që ju bënë në media, paralajmërimi për heqjen e ushtrisë së detyrueshme mund të kthejë në një precedent të rëndë për ministrinë e Mbrojtjes. Ajo që ka rëndësi të bëhet publike, sipas Karabinës janë 2 ndryshime që i janë bërë ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Petrit Karabina: “Ndryshimi kryesor është ai i propozuar nga Amnisty International dhe ministria e Drejtësisë, për shtrirjen e të drejtës së aplikimit për shërbim alternativ për shtetasit jo vetëm 6 muaj përpara mbushjes së moshës për thirrje në shërbimin ushtarak, por pa kufizim edhe kur shtetasi është duke e shlyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ai mund të bëjë kërkesën dhe mund të kërkojë t’i drejtohet komisionit dhe mund të kërkojë shërbim alternativ, shërbim alternativ do të thotë shërbim ushtarak pa armë. Parashikimi i bërë në nenin 42 për mundësinë e pagesës me qëllim shlyerjen e këtij detyrimi për shërbimin ushtarak deri në fund të vitit 2010, duhen ndryshuar dhe kjo u bë dje. U ndryshua nga fundi i vitit 2010, afrohet dhe bëhet në fund të vitit 2009.”
Jo në pak raste rekrutët e rinj kanë refuzuar të kryejnë shërbimin ushtarak, madje kushdo që ka tentuar të thyejë ligjet e forta të ushtrisë është ndjekur penalisht për dezertim. Karabina ka argumentuar se rastet janë të kufizuara dhe se kushdo që e refuzon këtë detyrim ligjor do të përballet me të.
Petrit Karabina: “Përveç këtij fakti të një detyrimi moral dhe të një detyrimi që ka çdo qytetarë për të marrë pjesë në sigurinë e vendit të tij është edhe një ligj, ai që nuk zbaton ligjin kudo qoftë që ai punon, çfarë duhet bërë me të. Duhet ndëshkuar.”
Më të privilegjuarit për t’i shpëtuar këtij detyrimi janë studentët dhe ata që arrijnë të paguajnë në vit shumën e 300 mijë lekëve të reja./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani
Operator: Petrit Xhaferri