Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, është takuar me banorë të komunave Gjyral dhe Shalës. Kryediplomati shqiptar ka premtuar në këto takime pesëfishim të subvencioneve për fermerët.
Lulzim Basha: “Subvencionet e drejtpërdrejta për të gjitha projektet, nga ulliri tek vreshtaria, nga drithërat te blegtoria do të marrin vetëm nga qeveria shqiptare 5 herë më shumë fonde se në periudhën 2007-2009. Për tre investime konkrete që nuk do të jenë të vetmet, për rrugën Shalës-Kutalli, për rrugën Shalës-Nazaret dhe për rikonstruksionet e ujësjellësit Cërrik-Shalës.
Në këtë takim me banorë të Shalësit, Basha ka folur për projekte konkrete të cilat kanë hyrë në rrugën e realizimit.
…
Bregu-Bumçi: Më 28 qershor, votohet nr.10
Kandidati për qarkun e Tiranës Aldo Bumçi, Majlinda Bregu, Ilir Rusmajli, Gent Strazimiri dhe Gjergj Bojaxhi caktuan punimet për ndërtimin e rrugës që lidh komunën e Shëngjergjit me Tiranën, një investim ky i qeverisë shqiptare.
Aldo Bumçi: “Qeveria socialiste tre herë rresht në tre palë zgjedhje ka premtuar këtë rrugë, kjo rrugë në fakt po fillon me ne dhe është kompletizimi i premtimit të kryeministrit Sali Berisha që ndërlidh çdo qendër komune në 15 minuta me akset kryesore rrugore.”
Kandidatja e PD për Tiranën, Majlinda Bregu tha se qeveria mbajti premtimet e dhëna dhe se më 28 qershor votuesit do të zgjedhin numrin 10.
Majlinda Bregu: “Ju s’keni nevojë t’ju bëjë njeri thirrje as çohu as ulu , ju jeni në këmbë për fëmijët tuaj, jeni në këmbë për të drejtën tuaj, ju duhet të votoni më 28 qershor …”
…
Oketa: Më 28 qershor, Durrësi do të jetë blu
Në një takim me banorë të Durrësit, kandidati i PD për këtë qark Gazmend Oketa tha se ashtu si edhe më parë, më 28 qershor Durrësi do të jetë blu.
Gazmend Oketa: “Do të jetë po PD, po qeverisja e saj ajo që do të bëjë të mundur realizimin e ëndrrës shqiptare për të qenë të barabartë midis të gjithë vendeve Europiane. Unë jam i sigurt se në rast se të gjithë së bashku gjatë këtyre ditëve bëjmë përpjekje maksimale, në rast se të gjithë ftojmë të njohurit, miqtë, komshitë tanë për të dalur dhe për të votuar më 28 qershor Durrësi ashtu siç është ngjyrosur gjithmonë dhe këtë radhë do të ngjyroset blu.”
Oketa theksoi se çdo cep i Shqipërisë ka prekur ndryshimin dhe se jeta e shqiptarëve është bërë më dinjitoze dhe më cilësore.
….
Ceka: Prioriteti ynë, punësimi i rinisë
Kreu aleancist Neritan Ceka ka qenë në qytetin e Elbasanit ku është takuar me përfaqësues të forumit rinor. Ceka tha se prioriteti i Aleancës Demokratike është shkollimi dhe punësimi i rinisë në vend.
Neritan Ceka: “Përfaqësues të rinisë së Elbasanit, dalë nga universitetet, kthyer nga emigracioni që presin një ndryshim për të ardhmen dhe ndryshimi është projekti për të favorizuar rininë për hapjen e bizneseve veçanërisht me lehtësimin e viteve të para, me mos pagim të taksave edhe me kredi të buta.”
….
Meksi: Mos kini frikë nga alternativa e ndryshimit
Kryetari i Polit të lirisë, Aleksandër Meksi i ka bërë thirrje elektoratit të mos ketë frikë të votojë një alternative të ndryshme nga ajo që ofrojnë dy partitë e mëdha, të cilat sipas tij, e përdorin pushtetin për përfitime vetjake dhe për familjarët e tyre.
Aleksandër Meksi: “Mos kini frikë se nuk vjen përparimi në qoftë se do të keni frikë, në qoftë së votën tuaj e të gjithë tjerëve që mendojnë si ju e hidhni për një alternativë të ndryshme nga ajo që na kanë ofruar këto dy parti. Ku kërkojnë të sundojnë vetë, me familjen e tyre, me farefisin e tyre, me bashkë… e tyre dhe me ata që kanë klientë në punë të pista, sepse korrupsioni në tërë botën quhet e pistë”…/tvklan.al