Ky 26 –vjeçar nga qyteti i Elbasanit është aplikanti i 28 –të për këtë vit që ka plotësuar formularin për t’u bërë pjesë e ushtrisë profesioniste me pagesë, shumë të tjerë janë bërë pjesë e saj tashmë. Ardian Rika përveç pasionit për artet luftarake, e sheh ushtrinë me pagesë edhe si një mundësi të mirë punësimi.
Ardian Rika: “Aktualisht unë kam mbaruar Shërbimin Ushtarak në Gardën e Republikës, ushtar aktiv. Duke parë që Shqipëria po aderon në NATO, për momentin në këto kushte ekonomike them që me pagesën financiare dhe kualifikime të ndryshme është zgjedhja më e mirë.”
1 muaj para anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATAO procesi i rekrutimit të ushtarëve me pagesë është drejt përfundimit. Sipas zv/ministrit të Mbrojtjes Petrit Karabina, tashmë ushtarët profesionistë përbëjnë pjesën dërrmuese të forcave të armatosura
Petrit Karabina: “Ushtarin profesionist, pothuajse e kemi në masën 85% të ushtarëve. Na mbetet edhe një pjesë fare e vogël për të plotësuar. Në momentin që ne flasim kryesisht janë në brigadën e reagimit të shpejtë që është në Zall-Herr.”
Interesi i të rinjve për t’u bërë ushtarë profesionistë, ka qenë i madh në të gjitha qytetet. Madje në Vlorë një numër të konsiderueshëm të tyre e përbëjnë femrat.
Musa Hodaj: “E veçanta është sepse kemi mjaft kërkesa nga vajza të reja që kanë mbaruar universitetin e Vlorës dhe kërkojnë të inkuadrojnë si ushtare profesioniste. Dhe të cilat ne i kemi përcjellë dhe ato janë aprovuar dhe miratuar si ushtarë profesionist.”
Në Elbasan pjesa më e madhe e aplikantëve kanë qenë me arsim të mesëm, por nuk kanë munguar as të rinjtë me diplomë universitare.
Fatri Kasapi: “Ne kemi rekrutuar në bazën e Forcave të Armatosura 45 shtetas, të cilët janë punësuar në Forcat e Armatosura, nga këto 10% kanë qenë me arsim të lartë.”
Kriteret e që duhet të përmbushë një ushtar profesionist janë mosha nga 19-30 vjeç, arsimi i mesëm apo i lartë, shëndet i plotë fizik dhe mendor si dhe të mos ketë precedent penal në të shkuarën. Paga e mujore e një ushtari me pagese do të jetë 32 mijë lekë dhe secili prej tyre do të gëzojë statusin e ushtarakut. Gjithashtu, kjo kategori ushtarësh do te përfitojë edhe lehtësi në shërbimet publike./tvklan.al