Qeveria paralajmëron fillimin e procesit të kompensimit të ish-pronarëve. Kryeministri Sali Berisha tha në mbledhjen e radhës së këshillit të ministrave se një grup ad-hoc i ngritur për këtë qëllim ka identifikuar mijëra hektarë pronë publike në zonat turistike që do të shërbejnë për këtë proces.
Kompensimi i ish-pronarëve shënon çdo vit një faturë në rritje për shkak të çmimit të trojeve që llogaritet në qendër të Tiranës 2000 euro, me parashikim rritje 5000 euro.
Pavarësisht kostos kryeministri Berisha përsëriti disa herë gjatë fjalës së tij rëndësinë e kompensimit të ish-pronarëve, si detyrim që rrjedh nga Kushtetuta.
Sali Berisha: “Unë gjykoj se ky është një detyrim absolut i yni dhe pa këtë sipërmarrje, pa vënien në dispozicion të disa mijëra Ha tokë në trojet turistike për ish-pronarët, ky proces nuk do mund të marrë zgjidhje. Vetëm qendra e Tiranës me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vetë përbën një barrë monetare, aktualisht të pa përballueshme ndaj dhe ne duhet të përdorim të gjitha mundësitë dhe mundësia e parë më e madhe është t’u ofrojmë pronarëve troje turistike.”
Kryeministri Berisha zbardhi zonat ku është identifikuar tokë për kompensim, por në këtë pikë ai theksoi rëndësinë e përdorimit të tyre në përputhje me interesat e zhvillimit të turizmit.
Sali Berisha: “Natyrisht këto që u ofrohen pronarëve do të jenë troje që mund të përdoren. Territoret janë bregu i Adriatikut, bregu Jonian, një pjesë e tij dhe dy liqen, liqeni i Shkodrës, liqeni i Pogradecit. Një shqyrtim dua t’i bëhet edhe zonës jashtë parkut kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës.”
Pasi bëri publike këtë iniciativë të qeverisë, kryeministri ironizoi kryetarin e bashkisë Edi Rama, duke iu referuar qëndrimit të këtij të fundit mbi këtë çështje.
Sali Berisha: “Ky është një detyrim që vjen nga thelbi i këtij sistemi dhe nuk mund t’u themi pronarëve si tu thotë ish-kryetari i bashkisë shkoni dhe gjeni partinë tuaj. Ne nuk themi jemi parti, jemi parti e hapur, jemi mazhorancë e hapur, por ne nuk mund të injorojmë në asnjë rast, në asnjë rrethanë një detyrim.”
Berisha tha, se grupi i punës është drejt finalizimit të procesit, mbetet vetëm të përcaktohen procedurat për shpërndarjen e kësaj sipërfaqeje toke. Gjithçka pritet të mbyllet javën që vjen, pasi kryeministri Berisha i kërkoi ministrisë së drejtësisë të sjellë aktet ligjore për këtë qëllim në mbledhjen e radhës të këshillit të ministrave./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi