Anëtaret socialist në Komisioni Qendror të Zgjedhje kanë braktisur punimet e mbledhjes së paradites, duke bërë që ajo të degjenerojë në një sherr banal. Gjithçka ka nisur pas pretendimeve të nënkryetares së këtij institucioni zonjës Dëshira Subashi, në lidhje me një vendim të marrë me shumicë votash gjatë mbledhjes të së mërkurës pas një kërkese të mbërritur nga dy burgjet ai i Fushë Krujës dhe ai i Elbasanit që afro 698 të burgosurit e këtyre dy institucione të kenë mundësi që të votojnë pranë qendrave ku vuajnë dënimin.

Në bazë të vendimit të kaluar dje me 4 vota pro dhe 3 kundër KQZ-ja ra dakord për prodhimin e 700 fletëve të votimit, vendim ky që u pa me skepticizëm nga anëtarët socialist. E kjo ka shërbyer që dy përfaqësuesit e PS-së në KQZ të ngrijnë pretendime për cenim të procesit zgjedhor e më pas për ngritjen e toneve në mbledhje.

Dëshira Subashi: “Nuk do rrijë në këtë tavolinë, sa kohë shikoj që procesi cenohet në thelb në kollënën e saj. Gjithë ajo punë e vendimmarrëse e KQZ-së mund të shqelmohet me një vendimmarrje dhe ky rrezik ka ekzistuar pikërisht në këto dy pika në miratimin e qendrave të votimit private dhe në vendimmarrjen e djeshme për fletën e votimit për burgjet”.

Arben Ristani: “Atëherë unë përsëri do më duhet t’ju them që procesi ka një mbarëvajtje shumë të mirë, po ju kujtoj në rast se do mundohuni 2 herë rresht do kërkoj të përjashtoheni nga komisioni në bazë të ligjit dhe po mundohuni me të gjitha forcat të bëni pis procesin”.

Por debati ka degjeneruar mes dy anëtarëve të tjerë, Klement Zgurit dhe Artan Lazajt Ky i fundit akuzoi administratën se nuk po ve në dispozicion bazën materiale dhe u largua në mënyrë demonstrative nga mbledhja, ashtu si kolegia Subashi.

Artan Lazaj: “Mund të keni të drejtë që administrata punon dhe e shoh që punon deri në orë të vona, po nuk e di për kë punon se vendimi i djeshëm ishte ndoshta një gabim, ndoshta një nxitim nga kërcënimet e kryetarit që do të mungoni 2 mbledhje radhazi”.

Arben Ristani: “Është kërcënim i ligjit ai, jo i kryetarit, merr e lexo ligjin dhe shife”.

Artan Lazaj: “Në rregull. Po, po unë ligjin e kam parasysh. Po të mungoni 2 herë do të bëj propozim për përjashtim nga radhët e KQZ-së dhe unë e shoh veten të paktën nisur nga një vendim i djeshëm, e shoh veten të tepërt dhe, dhe unë dua të deklaroj që do largohem nga kjo mbledhje”.

Arben Ristani: “Këta që largohen nga beteja, janë burracakë”.

Klemend Zguri: “KQZ-ja thjeshtë bëri këtë vendim, bëri të mundur që këta njerëz të votojnë. Deklarimet në KQZ në këtë formë janë thjeshtë dashakeqëse”.

Por braktisja e komisionit nga socialistet duket se zgjati vetëm për pak ore. Në mbledhjen tjetër të radhës të zhvilluar në mesdite, Artan Lazaj ishte serish i pranishëm, ku ashtu si koleget e tjerë u njoh me mënyrën e monitorimit on line të procesit të votimit, atij të numërimit dhe shpalljes së rezultateve në kohë reale. Tensionimi i marrëdhënieve mes anëtarëve të këtij institucioni vjen në një moment delikat, vetëm tre ditë para ditës së zgjedhjeve, dhe vetëm një ditë pasi ky institucion mori vlerësime nga Ambasada Amerikane dhe OSBE për gjetjen e konsensusit në realizimin e standardeve zgjedhore./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro