Një ditë pas kongresit të jashtëzakonshëm, ish-kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kandidat së bashku me Maqo Lakrorin, për të marrë drejtimin e kësaj partie rikonformoi mundësinë për të bojkotuar kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 28 Qershorit, një vendim që ai tha se i është deleguar institucioneve të tjera të partisë.
Edi Rama: “Vendimmarrja e PS-së për marrëdhëniet me këtë parlament me legjitimitet thellësisht të cunguar, është një vendimmarrje që kongresi ja ka lënë institucioneve të tjera të PS-së, duke i konsideruar këto zgjedhje pa legjitimitet dhe duke konsideruar rezultatin e këtyre zgjedhjeve të pa pranueshme”.
Ish kryetari Rama, nuk mori sërish asnjë përgjegjësi mbi vete për disfatën e socialisteve në këto zgjedhje, por ia adresoi ato kolegeve të vet në PS, kryeministrit Berisha, kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, ish kryetarit të PS, Fatos Nano si dhe mediave në vend.
Edi Rama: “Përsa kohë procesi ka qenë tërësisht i deformuar dhe rezultati është tërësisht i deformuar, analiza është kjo: që jetojmë në një vend ku demokracia është në rrezik dhe do bëjmë gjithçka për të rivendosur të drejtën e çdo njeriu, e çdo shqiptari, e çdo shqiptareje që të zgjedh. Kjo është analiza”.
Pavarësisht se KQZ votoi 7 me 0 pa asnjë kundërshtim për rezultatin e zgjedhjeve, Rama kërkoi angazhimin e Presidentit lidhur me atë që ai e quan masakër të procesit zgjedhor.
Edi Rama: “Fola për domosdoshmërinë që kryetari i KLD-së të njohët me këtë dokumentacion që ne kemi në dispozicion dhe të bëjë detyrën e tij. Sepse në këtë operacion kriminal është përfshirë pushteti dhe këtë operacion kriminal e kanë orkestruar autoritete të larta shtetërore”.
Rama ka shmangur shumë pyetje të gazetareve gjatë përpalljes së tij me mediat, ndërsa ka theksuar se kërkon ta fokusoje debatin politik në deformimin, sipas tij, të votës në 28 qershor dhe jo tek përgjegjësitë që ai ka dhe i takojnë për humbjen e tyre./tvklan.al