Shfaqet në Lezhë murtaja afrikane. Sipas shërbimit veterinar të Lezhës, në Malin e Rrencit është identifikuar një vatër me murtajën afrikane.
Sëmundja është shfaqur tek derrat brenda një ferme, por edhe tek derrat e egër përgjatë masivit pyjor të zonës.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se kampionet e dërguara nga kadavrat e derrave të egër dhe të kryqëzuar, prej Shërbimit Veterinar Rajonal në Laboratorin e Referencës, kanë rezultuar pozitivë për praninë e sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave.
Ndaj e gjithë zona është vendosur në karantine, ndërsa shërbimi veterinar po monitoron situatën në terren.
Murtaja Afrikane e Derrave nuk është një sëmundje që prek njeriun, mirëpo ajo mund të shkaktojë dëme të madhe për ekonominë.
ISHP thotë se deri tani nuk ka asnjë rast të transmetimit të sëmundjes nga kafsha tek njeriu, apo nga derrat në kafshë të tjera.
Megjithatë masat e kontrollit dhe të karantinimit të zonës janë shumë të rëndësishme për minimizimin e ngordhjeve të tufave.
Tv Klan