Rishfaqet murtaja afrikane e derrave. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi se janë zbuluar disa raste të reja në qarkun e Lezhës.
Më datë 25 Dhjetor është konstatuar se në fshatin Ishull – Lezhë tek një fermer me 71 krerë derra ka patur ngordhje në 8 krerë. Një ditë më vonë Shërbimi Veterinar i Sektorit të Lezhës ka shkuar në fermë dhe ka konstatuar ngordhjen edhe të 7 krerëve të tjerë.
“Menjëherë është kryer groposoja e kafshëve të ngordhura, dezinfektimi i mjedisit, si dhe janë marrë kampione zyrtare (karkasë dhe organe), të cilat u dërguan në ISUV me fletë shoqërimi për dyshim të sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave, sipas protokollit të përcaktuar”, njoftoi MZHBR.
Siç njofton ministria, analizat kanë rezultuar pozitive me testin konfirmator RT – PCR, për praninë e sëmundjes së murtajës afrikane të derrave.
Ferma në fjalë është vënë menjëherë në mbikëqyrje veterinare. Mësohen se ajo ka qenë në zonën e survejancës 10 kilometra me vatrën tjetër në malin e Rrencit.
“Është kontrolluar 3-herë gjatë periudhës se karantinës në datat 27.11.2024 dhe në datat 02.12.2024 dhe 09.12.2024, nga ku është konstatuar gjendje e mirë shëndetësore e kafshëve në fermë”, njoftoi MZHBR.
Mësohet se murtaja afrikane e derrave nuk është një sëmundje që prek njeriun, mirëpo ajo përbën një rëndësi të madhe për ekonominë dhe shëndetin e popullatës së derrit, në vendin tonë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me strukturat ligj-zbatuese kanë marrë masat dhe është në gatishmëri të çdo rasti për menaxhimin në kohë dhe pa vonesë të kufizimit për përhapjen e sëmundjes.
Ditën e sotme është mbajtur takimi i Qendrës Kombëtare të Krizës dhe ka hyrë në fuqi Urdhri nr.1131 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Murtajës Afrikanë në Derrat e butë”. Për këtë arsye urdhërohen masa shtesë për:
1. Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të derrave të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Bashkinë Lezhë.
2. Ndalimin në territorin e Bashkisë Lezhë të lëvizjes së derrave të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet, panairet dhe ekspozitat e kafshëve të gjalla.
3. Veterineri zyrtar me miratim të titullarit të DRVMB mund të autorizojë lëvizjet e derrave të mbarështuar nga fermat pa prani të sëmundjes, që ndodhen në zonën e mbrojtjes direkt për në një thertore, e cila ndodhet sa më afër që të jetë e mundur me fermën e origjinës dhe brenda zonës së mbrojtjes, ose në zonën e mbikëqyrjes, kur nuk është e mundur që kafshët të theren në zonën e mbrojtjes.
4. Të kryhet inventarizimi dhe gjurmimi me teste laboratorike konfermatore për sëmundjen e Murtajës Afrikane të Derrave, në zonat e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, në Njësitë Administrative: Shëngjin, Kolsh, Zejmen, Lezhë, Balldre, Kallmet dhe Shënkoll të Bashkisë Lezhë.
5. Të forcohet marrja e masave për kontrollin e lëvizjes së kafshëve, zbatimin e masave të Biosigurisë dhe masave sanitaro-veterinare në zonën e mbrojtjes dhe mbikqyrjes në Njësitë Administrative Shëngjin, Kolsh, Zejmen, Lezhë, Balldre, Kallmet dhe Shënkoll.MZHBR I bën thirrje pronarëve të kafshëve të zbatojnë masat karantinore dhe të biosigurisë, veterinerëve privatë, teknikëve veterinarë, drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore, punonjësve e shërbimit pyjor dhe gjuetarëve, që për çdo rast dyshimi apo prani të shenjave klinike në derra, të informojnë pa vonesë Shërbimin Veterinar Rajonal në numrin e gjelbër 08003366 ose në rrugë zyrtare në adresën e e-mailit [email protected]./tvklan.al