Të ftuar:
Enkeleida Zeko – gazetare
Trevisa Tufa – gazetare sporti
Kejsi Tafili – arbitre
Sara Gjidiaj – komentatore sporti
Gazetare: Agida Koçi, Ermelinda Ndoja
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Byreçka të vogla me mish të grirë
Për brumin
500 gr miell Ola
250 ml ujë
1 lç kripë
1 lgj vaj
Niseshte për hapjen e petëve
Mbushja
500 gr mish viçi të grirë
2 qepë të mëdha
1 lç piper të kuq
Kripë dhe piper i zi
Niseshte
100 gr gjalpë
100 ml vaj
Të gjithë përbërësit e brumit i bashkojmë në njl tas dhe punojmë brumin deri sa të na formohet një brumë jo shumë i fortë. E lëmë brumin të pushojë për 20 minuta e më pas e ndajmë në 8-10 kuleçë mesatarë. I mbulojmë kuleçët dhe i lëmë të pushojnë. Ndërkojë në një tigan me 4 lugë gjelle vaj kaurdisim qepën e grirë hollë deri sa ajo të zbutet. Shtojmë mishin dhe i gatuajmë së bashku për 10 minuta. Rregullojmë shijen me kripë, piper të zi e piper të kuq. I përziejmë mirë e pasi të kalojnë 10 minuta e transferojmë mbushjen në një tas që të ftohet.
Hapim një petë të vetme. E lyejmë mirë me yndyrë dhe e palosim më tresh e më pas më katërsh duke e lyer me yndyrë në çdo palosje. Pasi palosim petën, e lëmë mënjanë të pushojë, sa të bëjmë të njëjtin veprim me petën tjetër. Kështu do të vazhdojmë deri në fund. Hapim petën që palosëm më parë në formë drejtkëndore jo shumë të madhe.
Vendosim në fillim si një rrip horizontalisht mishin e grirë. Bëjmë petën role dhe e vendosim në tepsinë e lyer me vaj. Kështu vazhdojmë edhe me petët e tjera. Në fund i presim në gjatësi drejkëndëshe ose katrore. I lyejmë përsëri me yndyrë dhe i pjekim në furrë në temperaturë 200 gradë për 25- 30 minuta.
Mish viçi me domate dhe oriz
500 gr mish viçi në kubikë
1 qepë e madhe
1 thelb hudhër
1 lç salcë domate, koncentrat
500 gr domate
1 lç sheqer
Kripë dhe piper i zi
1 fk oriz
Vaj ulliri
Shumë pak majdanoz i grirë
Në një tenxhere të thellë ngrohim vajin. Shtojmë hudhrën dhe kaurdisim mishin deri sa të zverdhet. Shtojmë qepën e grirë hollë dhe vazhdojmë kaurdisjen deri sa qepa të zbutet dhe të zverdhet në mënyrë transparente. Shtojmë salcën, e përziejmë për 1 minutë e më pas shtojmë domatet e qëruara nga lëkura dhe të prera në kubikë. Shtojmë 1 lugë kafe sheqer për të zbutur aciditetin e domates.
Largojmë hudhrën nga tenxherja dhe pasi domatja të ketë zier pak, shtojmë ujë deri sa të na mbulohen të gjithë përbërësit në tenxhere. E lëmë mishin të ziejë për 25 minuta. Më pas shtojmë orizin duke parë fillimisht lëngun në tenxhere i cili duhet të jetë mbi nivelin e përbërësve. Nëse ka shterur e shtojmë përsëri. E lëmë orizin të ziejë për 14-16 minuta e më pas gjithçka gati për t’u shërbyer.
Kampionati europian në sytë e vajzave
Çfarë i bën vajzat të dashurojnë futbollin
Gazetarja tregohet e rreptë me kombëtaren dhe i vë notën 5: E ka me hatër!
Ndryshe nga parafolëset e saj në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Trevisa Tufa dhe Kejsi Tafili që e vlerësuan performancën e kombëtares në Euro 2024 me notat 6.5 dhe 8.5, Enkeleida Zeko nuk u tregua kaq ‘bujare’. Gazetarja i vuri ekipit kuq e zi notën kaluese për disa arsye ku një pjesë të madhe të vlerësimit e zuri regresi krahasuar me performancën e Euro 2016.
Enkeleida Zeko: Notën 5 do t’i jepja.
Agida Koçi: Kaluese.
Enkeleida Zeko: Kaluese sepse arriti të merrte një pikë në barazimin me Kroacinë, por nëse do të bëja një krahasim me kombëtaren tonë në Euro 2016 që mori 3 pikë dhe u rendit në vendin e parafundit, kombëtarja e mbylli këtë edicion në vendin e fundit me vetëm 1 pikë. Pra si të thuash, nuk pati rritje, nuk pati progres por pati regres. Kështu që duke u nisur nga kjo lloj performance ku nuk luajtëm mirë dhe nuk bëmë një ndeshje të bukur me Italinë, bëmë një ndeshje ku mund të kishim marrë më shumë, por nuk e menaxhuam mirë me Kroacinë dhe morëm vetëm 1 barazim, edhe me Spanjën pastaj që ndoshta me skuadrën e dytë të Spanjës, ne po të kishim patur më tepër kujdes dhe po të kishim arritur të kishim një zotërim më të mirë të lojës, mund të kishim arritur një barazim, duke patur parasysh vendimet që u morën gjatë 90 minutave në këto ndeshje, duke pasur parasysh pritshmëritë që vetë kombëtarja na tha që do të arrijmë të kalojmë grupin dhe do të shkojmë më tej në kampionatin europian, gjë e cila nuk u realizua, unë mendoj që nota 5 është madje edhe pak me hatër për kombëtaren në këtë përfaqësim.
Gabime që kushtojnë, të ftuarat ‘ndëshkojnë’ me notën 4 Hysajn e Sylvinho
Për komentatoren Sara Gjidiaj, e ftuar në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, kombëtarja merr notën 4 dhe 10. Këtë të fundit për vështirësinë e grupit ndaj të cilit ra shorti ndërsa të parën për faktin që mund të kishte bërë më mirë.
Në shkallë individuale, ajo tha se lojtarë të kombëtares si Daku, Berisha dhe Hoxha meritojnë notën 10 për performancën e tyre në Europian. Nota pakaluese shkoi për Hysajn.
Sara Gjidiaj: Është përfolur shumë Hysaj, ajo është diçka njerëzore, nuk besoj se Hysaj e ka bërë qëllimisht, por nga ajo që ka dhuruar në këtë Europian, 4 shkon për Hysaj.
Gazetarja Trevisa Tufa vlerësoi me notën 10 portierin Thomas Strakosha ndërsa me 4 trajnerin Sylvinho.
Trevisa Tufa: Portier pa minuta, gjatë gjithë fazës kualifikuese luajti Berisha, shumë pak ka luajtur Strakosha kur nuk ka qenë Berisha dhe bën pritje fantastike, madje në fazën e grupeve ka qenë një nga portierët me më shumë pritje, pra një nga më të mirët. Mendoj që ai e ka ndihmuar shumë Shqipërinë, e ka shpëtuar të themi. Për 4 të them të drejtën nuk do të doja t’i vendosja dikujt sepse mendoj që secili mirë apo keq ka djersitur për atë fanellë, qoftë edhe Hysaj që tha Sara, mund të ketë bërë disa gabime por kemi parë një Hysaj në ndeshjen me Kroacinë që luajti shumë mirë, përtej golit të dytë që nuk duhet të ishte në vendin që ishte, e mori lojtari i Kroacisë përpara. Këto janë gjëra që ndodhin. Nuk dua t’i vendos 4, ndoshta 4 do t’i shkonte trajnerit Sylvinho për mënyrën e zëvendësimeve sepse ndoshta duhet t’i kishte bërë pak më herët, pak më shpejt. Ndoshta duhet të ishte një Arbër Hoxha nga fillimi sepse pamë në ndeshjen e Italisë që ndenjëm gjithë kohën prapa pas pësimit të golit të dytë, futet Arbër Hoxha në fushë dhe i jep prekjet e para të topit që çon skuadrën në sulm dhe dha përshtypje të mira, të futet ndaj Kroacisë shumë vonë kur duhet të ishte mendoj zëvendësimi i parë ose i dytë…se po flas kështu si profesioniste, por e thënë edhe nga vetë profesionistët, trajnerët e futbollit, trajneri ka gabuar.