Oboti në Shkodër ende nën ujë, arrihet vetëm me varka
Ndërprerja e reshjeve të shiut nuk e ka përmirësuar aspak situatën e përmbytjeve.
Zona e Nënshkodrës vijon të jetë nën pushtetin e ujit. Arben Ceni administrator i Anës së Malit thotë se situata është kritike dhe Oboti arrihet vetëm me varka. Ai thotë se është kërkuar shpallja e gjendjes e fatkeqësisë natyrore, por është refuzuar. Bashkia e Shkodrës raporton se ka ende 3 765 ha tokë nën ujë. Fermerët e këtyre tokave tregojnë se një përmbytje e tillë nuk kishte ndodhur prej vitesh.
Edhe në zonën e Lushnjes mbetet problem prezenca e ujit në tokat tek Tre Urat në Grabjan. Hidrovori në Biçukas është në punë, por prurjet e ujërave janë të mëdha dhe nuk po përballohet nga elektropompat thithëse.
Kanalet kryesore dhe Emisari i Myzeqesë janë mbushur tej kapacitetit mbajtës duke bërë që uji të dalë jashtë shtratit duke shkaktuar përmbytje në tokat përreth.
Tv Klan