Ditën e sotme u zhvillua seanca e Komisionit të TIMS ku dëshmoi Ministri i Brendshëm Taulant Balla. Seanca është mbajtur me dyer të mbyllura dhe kjo solli shumë debate në mbledhje. Deputetët e opozitës pretendojnë se mbledhja nuk është transparente dhe kërkuan që ajo të bëhej publike, por pala tjetër tha se në mbledhje do të diskutohej për dokumente që përbënin sekret shtetëror. Komisioni synon që të hedhë dritë mbi rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.

Nga ana tjetër Drejtori i IT në Policisë e Shtetit, Ervin Muça ndodhet aktualisht në arrest shtëpie dhe pritet që të japë dëshminë e tij. Në një intervistë për Klan News me gazetarin Besard Jacaj, deputeti i PS i cili ishte gjithashtu prezent ditën e sotme në mbledhjen që zhvilloi komisioni tha se Ervin Muça nuk është paraqitur ende në komision për të dëshmuar. Sipas deputetit Xhemal Qefalia, Muça është i treti në radhë.

Xhemal Qefalia, deputete i PS: Dëshmitarët janë në cilësinë e dëshmitarit dhe betohen atje për të thonë të vërtetën. Natyrisht pas zotit Rrumbullaku brenda ditës së sotme është një tjetër dëshmitar i cili momentalisht po vuan masën e arrestit në shtëpi, është zoti Ervin Muça.

– Pra nuk ka ardhur akoma zoti Muça?

“Nuk i ka ardhur ende radha të paraqitet në komision pasi është dëshmitari i tretë për t’u paraqitur para komisionit më pas do të vijnë përfaqësues të tjerë të Drejtorisë së Policisë. Shefi i Burimeve Njerëzore, do të vijnë drejtues të tjerë, emra të tjerë të cilët që tashmë janë bërë publike dhe kanë marrë vendimin unanim të komisionit për të ofruar dhe për të sjellë gjithë informacionin e nevojshëm për zbardhjen e së vërtetës nëse është ndërhyrë apo jo në sistemin TIMS,” përfundoi deputeti i PS Xhemal Qefalia.

/tvklan.al