Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Hasan Ahmetaj ish-Drejtor i Policisë së Beratit i shkarkuar dje nga Ministri Poçi takohet për herë të fundit me ish-efektivat dhe vartësit e tij. Ju falenderoj për punën që bashkë kemi bërë ju drejtua kolonel Ahmetaj oficerëve të policisë së Beratit, por jam i detyruar të largohem pas një urdhëri absurd dhe pa motivacion.
Vetëm 30 sekonda ka harxhuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Veli Myftari, tha Ahmetaj për të më komunikuar shkarkimin edhe pse jashtë kopetencave të tij dhe të vetë Ministrit Poçi, pasi kjo është e drejtë e Kryeministrit. Ky është shkarkimi i 21 në policinë e Beratit, vazhdoi Ahmetaj, duke nxitur shkatërrimin e asaj bërthame të mirë të krijuar tashmë.
Më pas kolonel Ahmetaj foli për gazetarët. Motivi i vetëm i shkarkimit të tij sipas Ahmetaj, i ka rrënjët në vizitën e Fatos Nanos në Berat, dy muaj më parë.
Hasan Ahmetaj, Drejtori i Policisë së Beratit:- “Unë desha t’i them zotit Spartak, i cili të nesërmen në orën 8 të mëngjesit më thirri në zyrë dhe duke bërtitur me një pamje të shpërfytyruar më kërkonte llogari mua pse u prit Fatos Nano me entuziazëm në Berat. Nga gjithë ai debat mund të citoj vetëm pak fjalë kur ai më tha, çfarë është ai, ai është një deputet si gjithë të tjerët. Dhe unë i ktheva përgjigje: Zoti Ministër, ju kujtoj se ai nuk është një deputet si gjithë të tjerët, por është një ish-Kryeministër, dhe për pasojë shoqërohet nga 6 oficera bodigardë të Gardës së Republikës që i paguan kjo Ministri. Kuptohet që në këtë moment marrëdhëniet tona u ftohen dhe gjithë ato premtime dhe lidhje reciproke dhe puthje që kishim me njeri-tjetrin u harruan menjëherë”.
Ministri i Rendit Publik Spartak Poçi tha Ahmetaj ka dhënë shumë premtime për policinë e Beratit por ai nuk mbajti fjalën as për dëmshpërblimin e policëve të vrarë. Sipas Ahmetaj, ministri Poçi nuk është bazuar në rezultatet e punës porn ë letra anonime.
Hasan Ahmetaj, Drejtori i Policisë së Beratit:- “Më duhet të them disa llafe për Prefektin e Beratit i cili në mënyrë të vazhdueshme ka shkruajtur letra anonime për mua, dhe rasti më flagrant është rasti i fundit kur në mbledhjen e këshillit administrativ, unë i thashë juve i keni dërguar një letër Ministrit tim, dhe ai tha po”.
Duke përfunduar Ahmetaj tha se për momentin do të bëj pushimet vjetore, por me kalimin e kohës ai do të publikojë dosje dhe fakte që ai vetë i disponon, që tregojnë lidhjet e kontrabandistëve me krerët më të lartë të Ministrisë Blu. Por absurditeti i shkarkimit të tij, sipas Ahmetajt vazhdon në faktin se askush të paktën deri tani nuk ka shkuar ta zëvendësoje atë./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj