Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një i mitur i akuzuar për grabitje është gjendur i vdekur në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Mirditës. Kjo ngjarje vjen pak ditë pasi drejtori i burgjeve Hasanaj paralajmëroi për të disatën herë se dhomat e paraburgimit janë të pasigurta, si dhe probleme të tjera që ekzistojnë në to.

Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se dhomat paraburgimit nuk janë në varësi të saj, por të Ministrisë së Rendit. Ndërkohë bëhet e ditur se është firmosur propozimi për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve Ramadan Hasanaj, disa ditë pasi ai u shpreh, se kërkonte dorëheqjen.

Në postin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve është komanduar zv/ministri i Drejtësisë Anastas Duro, ky i fundit ka mbledhur menjëherë stafin e kësaj drejtorie të cilit i ka kërkuar më shumë përkushtim veçanërisht gjatë kohës që do të kryhet transferimi rreth 240 të dënuarve nga komisariatet e rretheve të Peqinit dhe Rrogozhinës. Duro ka premtuar përfundimin e këtij procesi brenda 31 Korrikut, afat i parashikuar nga urdhri i ministrit Xhafaj./tvklan.al