Falë bashkëpunimit me autoritetet greke, policia e Sarandës ka bërë të mundur shkatërrimin e një bande hajdutësh, të cilët aktivitetin e tyre e kryenin në Sarandë dhe Igumenicë.
Në sajë të operacionit të koduar “Sinora”, në pranga kanë rënë 3 persona. Ata janë: Dritan Reçi, 38 – vjeç, lindur në Burrel, Alfred Hoxha, 28 – vjeç, lindur në Mat, të dy banues në Durrës, si dhe Ilir Mama, 38 – vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Sarandë.
Pas një hetimi 2 mujor dhe shkëmbimit të informacione të vlefshme me policinë helene u bë i mundur zbulimi dhe kapja autorëve të kësaj bande, të cilët në mënyrë të mirëorganizuar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një sërë vjedhjesh.
Sipas policisë, sendet dhe materialet e vjedhura në Greqi, të ndaluarit i kalonin në mënyrë të jashtligjshme nga kufiri dhe i shisnin në Shqipëri me një çmim shumë të ulët.
Policia ka dokumentuar disa prej këtyre vjedhjeve:
Më datë 29.05.2016, këta shtetas kanë vjedhur banesën e shtetasit E.T., në lagjen nr.1 Sarandë, ku dyshohet se kanë marrë 50.000 lekë, 1 aparat celular “Iphone” dhe 1 aparat fotografik.
Më datë 18.05.2016, kanë vjedhur banesën e shtetasit grek G.V., në fshatin Mavrudh-Igumenicë (Greqi), ku dyshohet se kanë marrë një shumë parash prej 18.000 Euro, disa aparatë celularë si dhe sende të tjera me vlerë./
tvklan.al