Lëvizja qytetare “Zgjohu” nga Shkupi do të iniciojë peticion për mbledhjen e nënshkrimeve në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë për anulimin e vendimit për ndërtim të kishës ortodokse maqedonase në themelet e shtëpisë së Nënës Terezë në Shkup, paralajmëron kryetari i kësaj lëvizje Artan Grubi.  

Ai thotë se fillimisht do të përkrahin iniciativën për referendum kundër ndërtimit të objekteve fetare në sheshin e Shkupit.

Artan Grubi: “Zgjohu” mbështet nismën për referendum kundër ndërtimit të objekteve fetare në sheshin e Shkupit, me qëllim që të mbrojmë, me qëllim të fushatës së saj në mbrojtje të truallit shqiptar, vendit të lindjes së nobelistet shqiptare “Nënë Terezë” dhe besojmë që suksesi i këtij referendumi do ta ruan trashëgiminë kulturore shqiptare në qendrën e Shkupit dhe do t’i jep një shkelm të fortë tendencave qeveritare dhe kishës ortodokse për përvetësimin dhe asgjësimin e figurës së “Nënës Terezë”. Në qoftë se dhe ky referendum dështon që pak dyshojmë, atëherë “Zgjohu” do t’i drejtohet edhe Prishtinës dhe Tiranës për mbështetje në këtë fushatë për të mbrojtur figurën e “Nënës Terezë” në shtëpinë e lindjes së saj nga përvetësimi dhe asgjësimi”.

Dy organizata joqeveritare tashmë kanë filluar iniciativë për organizim të referendumit kundër ndërtimit të kishës dhe xhamisë në sheshin e Shkupit, pas anketës së realizuar në bazë të së cilës 70 % e qytetarëve janë prononcuar kundër ndërtimit të objekteve fetare në sheshin qendror të Shkupit.

Idejapër ndërtimin e kishës ortodokse maqedonase në sheshin qendror të Shkupit mbi themelet e shtëpisë së “Nënës Terezë”, fillimisht ishte e Qeverisë së Maqedonisë.

Mirëpo pas ngritjes së iniciativës para Gjykatës Kushtetuese kundër këtij vendimi nga ana e Lëvizjes qytetare “Zgjohu”, qeveria u tërhoq dhe vendin ku parashihet të ndërtohet kisha ia dhuroi Kishës Ortodokse Maqedonase./tvklan.al

Gazetari: Isen Saliu