Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu kanë shkuar sot në shkollën “Halit Çoka” në Kamzë për të vijuar me takimet këshilluese për kufizimin e rrjeteve sociale. Në bashkëbisedim me prindër e mësues, Rama tha së pari se infrastruktura në shkolla ka ndryshuar tërësisht krahasuar me vite më parë.

“Këtu në Kamzë besoj është vendi më i duhur për të ballafaquar realitetin e zhvillimit të infrastrukturës dhe shkollës. Po sjell ëktu njjë nga dëshmitë e prindërve që më ka bërë përshtypje, kur tha që çfarë ndodh sot në aspektin e gjërave që nuk duhet të ndodhin është 2% e atyre që ndodhnin deri dje, por nuk merrnin kaq shumë zhurmë. Për faktin se në njëfarë mënyrë njerëzit ishin mësuar me një situatë të pashpresë. Kur ne kemi filluar, falë vullnetit dhe këmbënguljes së kryetarit të bashkisë, që duhet të ishte këtu sot sepse është i veçantë në këtë aspekt…Pasqyra ka qenë dramatike! Pasiguria ishte e shtrirë deri në pusetat e hapura në rrugën gjithë baltë të shkollës. Sot situate është katërcipërisht e ndryshuar dhe shkollat e kopshtet në Kamzë janë të të njëjtave kushte si ato të reja në çdo kryeqytet të Europës.”

Rrjetet sociale e në veçanti TikTokun e cilësoi “shokun e ri” të fëmijëve, që sipas tij i tërheq më shumë dhe i shtyn drejt gjërave të gabuara.

“Sot fëmijët tanë nuk janë vetëm me ne, me mësuesit dhe me shokët. Ata kanë edhe një shok tjetër që për fat të keq e preferojnë më shumë se sa ne, apo librat. Që është shoku që ju del kur futen në telefon, nëpër rrjetet sociale. Posaçërisht në TikTok, por jo vetëm…Ata kanë një shok që ju thotë ekzaktësisht të kundërtën e gjërave që u themi ne në shtëpi, apo mësuesi në klasë që nga detyrimi për t’u ulur e për të lexuar libra. Ne bëhemi palë në gabim, kur për të pasur një moment qetësie, ja lëmë në dorë shokun dhe atyre as nuk u dëgjohet zëri e as nuk e dëgjojnë zërin. Është fakt me të cilin përballen të gjitha shoqëritë sot. Në vendet tona algoritmi stilumon gjëra që nuk duhen stimuluar. TikTok-u në Kinë është komplet tjetër. Atje fëmijëve iu dalin vetëm gjëra të bukura.”

Rrjetet sociale sipas Ramës janë “gropa thithëse” që dërgojnë informacion në bazë të gjërave që klikon dhe që krijojnë efekt varësie. Kreu i qeverisë theksoi se pavarësisht të gjithave, bllokimi i TikTok nuk është zgjidhja.

“Gjërat e ndaluara te fëmijët, tërheqin më shumë! Bota virtuale sjell edhe akte kriminale, duket sikur zgjat aventurën e ekranit në jetën reale, aq sa mund të arrish edhe të vrasësh e se kupton çfarë ke bërë.”

/tvklan.al