Finalja e edicionit të tretë të “Tirana Art Fest” ishte një mbrëmje magjike për të gjithë nxënësit e gjimnazeve të Tiranës, të cilët shfaqën talentin e tyre në kërcim, këngë dhe multimedia në një spektakël të jashtëzakonshëm në sheshin “Skënderbej”. Pas tre muajsh prova, audicione, minispektakle në të gjitha shkollat e kryeqytetit për promovimin e talenteve të reja në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës, “Tirana Art Fest” shpalli dje në mbrëmje fituesit në disiplinat si këngë, kërcim dhe multimedia.

Çmimin “Shkolla e talenteve” në edicionin e tretë të TAF-it, që përfshiu qindra të rinj  jo vetëm brenda qytetit, por edhe në rrethina, shkoi për shkollën e mesme “Qemal Stafa”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përshëndeti pjesëmarrësit dhe kërkoi prej të rinjve dhe të rejave që edhe në jetën e përditshme të jenë qytetarë model për shoqërinë. Duke shprehur angazhimin e Bashkisë së Tiranës për mbështetjen e rinisë së kryeqytetit, Veliaj tha se Tirana është sot qyteti më i ri dhe më i talentuar i Shqipërisë, ku janë të gjitha mundësitë për të ndërtuar të ardhmen.

“Ne do të jemi tifozët tuaj më të mëdhenj, por tani është radha juaj që, përveç se të jeni çuna edhe goca të talentuar, të jeni edhe qytetarë të mirë; që siç dhatë mesazhet për mjedisin, për solidaritet, për personat me aftësi të kufizuar, kështu të vazhdoni gjithë jetën tuaj. Jam shumë krenar për ju dhe Tirana është sot qyteti më i ri dhe më i talentuar i Shqipërisë, këtu janë mundësitë dhe këtu do ndërtojmë të ardhmen tonë”, tha Veliaj.

Ai shprehu bindjen se të rinjtë të cilët janë të suksesshëm në këtë moshë, do të arrijnë që në të ardhmen të tregojnë vlerat e tyre dhe të jenë të suksesshëm. “Kush është i mirë, kush është i aftë, kush punon fort, kush ka talent, me gjasë edhe kur të jenë mosha ime do të jenë ata që do ta menaxhojnë këtë qytet dhe vendin. Ndaj miqtë e mi, sot mbaron konkursi, nga ky moment secila shkollë, klasë, grup, duhet të lidhë një aleancë me të tjerët sepse besoj se ky qytet e ka vënë bastin te rinia”, u shpreh Veliaj.

“Tirana Art Fest” është kthyer tashmë në një traditë të bukur, duke i dhënë gjallëri jetës kulturore-artistike në kryeqytet, ku protagonistë janë të rinjtë. Në të gjitha gjimnazet e Tiranës (publike dhe jopublike), të rinj nga mosha 15 deri në 19 vjeç, patën mundësi të performojnë dhe të tregojnë talentin e tyre në tre disiplina të ndryshme: muzikë, kërcim dhe multimedia. “Tirana Art  Fest” ka qenë dhe pikënisja e rrugëtimit artistik të shumë talenteve nga shkollat e mesme të kryeqytetit e që sot janë të suksesshëm në tregun artistik.

Fituesit:

Shkolla e talenteve: Shkolla “Qemal Stafa”

Vokali më i mirë: Almeida Sula- Shkolla “Eqerem Çabej”

Artisti më origjinal: Esma Gashi- Shkolla Ismail Qemali”

Artisti i ri më i mirë: Markela Xhika- Shkolla “Petroni Luarasi”

Artisti më i mirë alternativ: Jonisa Lako -Shkolla “Qemal Stafa”

Artisti më i mirë hip-hop: Henri Shaqja -Shkolla teknike ekonomike

Interpretimi më i mirë- Timela Vogli – Shkolla “Sami Frashëri”

Grupi më i mirë- Shkolla “Partizani”

Grupi më i mirë hip-hop- Shkolla “Petroni Luarasi”

Grupi më i mirë folk- Shkolla “Qemal Stafa”

Grupi më i mirë alternativ- Shkolla “Neë York”

Fabula koreografike- Shkolla e Krrabës

Kostumografia- Shkolla “Asim Vokshi

/tvklan.al