Sulmuesi Cristian Shpendi, ka mbetur i zhgënjyer, për faktin se nuk u ftua nga trajneri Silvinjo në Kombëtare, për dy ndeshjet në Ligën e Kombeve.
Në një intervistë të dhënë për “Pianeta Bianconero”, Shpendi deklaroi se priste ftesë nga Shqipëria. Ndër të tjera, sulmuesi theksoi se nuk është kontaktuar nga Italia, por nëse ndodh, do e mendonte.
“Te them të vërtetën, mendova se do të ftohesha nga Kombëtarja shqiptare për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. U zhgënjeva kur e pashë që nuk isha në listë. Unë kam lindur dhe jam rritur në Itali. Një telefonatë nga Italia nuk më ka ardhur kurrë, por nëse vjen, sigurisht që do e mendoja”, tha ai.
I pyetur për merkaton, Shpendi deklaroi se fokusi i tij është vetëm te Cesena, ndërsa shtoi se nuk shqetësohet nga lajmet që qarkullojnë.
“Kam lexuar lajmet që qarkullojnë për mua. Mund t’ju siguroj se nuk di asgjë fare, janë thjesht thashetheme që nuk më shqetësojnë, mendoj për Cesenën dhe e di që të vazhdoj këtu është rruga e duhur, ndonëse nuk më takon mua të marr vendime të caktuara”, deklaroi Shpendi.
Sulmuesi 21-vjeçar është golashënuesi më i mirë i Serie B këtë sezon, me nëntë gola të shënuar në 13 ndeshje.
/tvklan.al