Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Pacientët paguajnë më pak me skemën e Sigurimeve Shëndetësore, ndërsa mjekëve nuk iu shtua pagesa e premtuar për çdo shpërblim. Shpërblimi i mjekëve me bonuse apo para në dorë, për ekzaminimet e kryera në aparaturat e shtrenjta ka mbetur në dorë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Prej dy muajsh që kur nisi të funksionojë skema e Sigurimeve Shëndetësore, mjekët nuk kanë marrë asnjë përqindje nga ekzaminimet. Instituti për menaxhim fondin ia ka dhënë drejtorisë së qendrës spitalore.
Gjergj Leka: “Kalimi nga paga fikse në një pagë sipas aktivitetit dhe punës që kryen secili mjek është i vështirë të realizohet tani për tani për këtë pengesë ligjore, e cila realisht mendojmë se do të zgjidhet shumë shpejt brenda javës që vjen. Përsa i përket shpërblimit, unë mendoj se fondet janë aty dhe këtë shpërblim mjekët do ta marrin me t’u rregulluar kjo situatë, e cila ka ardhur si pasojë e përpilimit të një nga pikave të VKM, që kishte të bënte me financimin. Ne i kemi paguar QSUT, të gjitha lekët sipas kërkesave që ata kanë paraqitur mbi vizitat dhe ekzaminimet e kryera për këto aparatura të shtrenjta.” Drejtori Tase, një nga iniciatorët e funksionimit të kësaj skeme pranon që paga e mjekëve është e ulët, e ka nevojë për shpërblimin, por duhet ndryshuar VKM-ja.”
Mihal Tase: “Situatën ligjore që është sot, ne kemi të drejtë që të japim mbi pagën, vetëm dy paga mujore në vit, pra jo më shumë. Po punojmë të tërë bashkë për të ndryshuar, për të pasur një ndryshim në vendimin e qeverisë, i cili të na lejojë për të bërë një pagesë më dinjitoze për personelin mjekësor që punon me këto aparatura.”/tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti