Nuk kanë fund telashet me drejtësinë për ish-kreun e bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika që ka përfunduar sërish në gjykatë si i pandehur. Gjika së bashku me 7 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë dhe prefekturës së Vlorës do të përballen me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Nga hetimet ka rezultuar se në kohën kur drejtonte bashkinë ai i ka dhënë me koncension në kundërshtim me ligjin një firme amerikane që të administrojë parkingjet për 24 rrugë të qytetit bregdetar. Hetuesit kanë dyshime se firma koncensionare që ka fituar të drejtën për të menaxhuar për 15 vite parkingjet në Vlorë është favorizuar nga ish-krybashkiaku. Nga hetimet ka rezultuar se firma ka parashikuar që në rast të prishjes së kontratës, bashkia ka detyrim që ti paguajë 20 milionë Dollarë edhe pse investimet në terren kanë qenë shumë herë më të vogla.
Momentalisht në Vlorë nuk paguhet për parkimet, ndërsa kontrata mes bashkisë dhe kompanisë nuk është prishur ende. Qytetarët vlonjatë kanë protestuar disa herë duke kërkuar anulimin e koncensionit, pasi sipas tyre mungojnë semaforët, vijëzimet, ndërsa rrugët janë jashtë standardeve për të pretenduar parkime me pagesë dhe këto shërbime duhet të kryheshin nga kompania fituese.
Kjo nuk është hera e parë që Gjika përfundon si i pandehur në gjykatë. Në 2015 ai u përball me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërtimit të paligjshëm dhe falsifikim të dokumentave, por në fund fitoi pafajësinë.
Tv Klan