Qindra dokumente që dëshmojnë veprimtarinë e diasporës shqiptare në Ukrainë do të jenë tashmë në Arkivat e Shqipërisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe kreu i Shërbimit Arkivor Shtetëror të Ukrainës , Anatolii Khromov, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, e cila i hap udhën shkëmbimit të dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e mërgatës shqiptarë në Odesë, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare.

Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë: Është një marrëveshje e rëndësishme me Arkivin Shtetëror të Ukrainës, që i shërben publikut shqiptar në shumë drejtime. Ukraina ka qenë një epiqendër përgjatë Rilindjes tonë Kombëtare. Aty janë zhvilluar një sërë aktivitetesh nga rilindasit tanë. Përtej kësaj, në Ukrainë ka një sërë vendbanimesh shqiptare, që e kanë ruajtura gjuhën, traditën dhe zakonet shqiptare. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, ne biem dakord ndër të tjera për shkëmbimin e informacionit, sikurse edhe për shkëmbimin e burimeve njerëzore dhe të ekspertizës së përbashkët mes dy institucioneve tona. Ukraina, prej vitesh gjendet në një pozitë të vështirë, për shkak të luftës së padrejtë të zhvilluar aty. Megjithatë, bashkëpunimi ynë ka qenë i vijueshëm, edhe përpara nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Sot krijojmë instrumentet legale të domosdoshme, në mënyrë që të mund të shkëmbejmë dokumentacionin për të pasuruar arkivat shqiptare lidhur me Rilindjen tonë Kombëtare dhe diasporën tonë shqiptare në Ukrainë.

Drejtori i Arkivës Shtetërore të Ukrainës vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve.

Anatolii Khromov, Drejtor i Arkivës Shtetërore të Ukrainës: Kjo është një ditë e shënuar për ne, pasi është vetëm hapi i parë i bashkëpunimit mes nesh. Vendet tona kanë vizione të ngjashme për zhvillimin e sistemeve arkivore. Gjithashtu, koleksionet që ne ruajmë përbëjnë dokumente të rëndësishme, si për ukrainasit, si për shqiptarët. Ky është një takim i rëndësishëm dhe shpresoj se arkivi shqiptar do të sjellë ndryshime të mëdha në fushën e arkivistikës.

Jetësimi i bashkëpunimit me arkivin ukrainas vjen në kuadër të 75-vjetorit të themelimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Në një kalendar të ngjeshur kushtuar këtij përvjetori jubilar, do të mbahen një sërë aktivitetesh ku do të marrin pjesë drejtuesit e arkivave të rajonit dhe më gjerë.

Klan News