William Walker, ish-Shefi i Misionit Vëzhgues së OSBE-së për luftën e Kosovës është nderuar nga Bashkia e Kavajës dhe shoqata e të përndjekurve anti-komunistë me titullin e mirënjohjes së personaliteteve që kanë kontribuar për kauzën shqiptare.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili vlerësoi guximin e Walker që cilësoi masakrën e Reçakut krim kundër njerëzimit, duke ndryshuar edhe dinamikën e luftës në Kosovë.
“Ambasadori Walker është jo vetëm një hero i Kosovës, por është një hero i Shqipërisë dhe hero i çdo shqiptari, pasi ai ka bërë për lirinë kombëtare si individ, ka dhënë një kontribut që borxhit shqiptarët nuk i dalin kurrë. Pa guximin tuaj, pa ndershmërinë tuaj, ndoshta historia e Kosovës nuk do ishte kjo që është sot”, tha Berisha.
Për kontributin e dhënë ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, u nderuan edhe gazetarët Ilir Ikonomi dhe Beqir Sina, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Klan News