Shqipëria këtë vit mbush plot 15 vite si anëtare e NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, përmes një videomesazhi ka shprehur vlerësimin për kontributin që japin përfaqësuesit tanë diplomatikë në Bruksel.
“Unë dua të përgëzoj punën e përditshme që përfaqësia jonë bën për të përcjellë mesazhet, qëndrimet dhe për të lobuar interesat strategjike kombëtare këtu në NATO, në komitete të ndryshme, por edhe në komandat, jo vetëm në Bruksel, por edhe në të gjithë hapësirën e NATO-s”, tha Ministri.
Vazhdimisht, Shqipëria është në komunikim me 31 aleatët dhe partnerët për jetësimin e koncepteve strategjike të NATO-s.
“Detyra parësore e stafit ushtarak është përgatitja e këshillimit sa më të mirë ushtarak për autoritetet vendimmarrëse në Tiranë dhe në Këshillin e Atlantikut të Veriut në përputhje me interesat tona kombëtare të shprehura në dokumentet strategjike”, u shpreh Koloneli Leonard Kollçaku, zv/përfaqësues ushtarak i Shqipërisë në NATO.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në këtë përvjetor Shqipëria shënon një sërë arritjesh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndër to inaugurimi i bazës ajrore taktike të NATO-s, e vetmja bazë e Aleancës në rajon.
Tv Klan