Shqipëria bëhet anëtare e SEPA, të tregut unik të pagesave në vendet e Bashkimit Evropian.

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e paraqitur nga Shqipëria për anëtarësimin në zonën gjeografike SEPA, duke u bërë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që i bashkohet këtij sistemi.

Kryeministri Edi Rama në një reagim të tij në rrjetet sociale tha se ky vendim do të ndikojë në kursimin e miliona Eurove për shqiptarët në dërgesat e tyre me anë të valutave.

“Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 Janari 2025. Miliona e miliona euro të kursyera nga detyrimet mbi dërgesat, falë rritjes së besimit tek Shqipëria dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt majës së anëtarësimit në BE.”

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e cilësoi si një vendim historik dhe që do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë.

“Kursimi paraprak mund të jetë të paktën 20 milion Euro.”

Tregu unik i pagesave në Euro përdoret nga 36 shtete me më të njëjtën kosto dhe lehtësi si brenda një vendi, ashtu edhe midis vendeve të BE-së.

Tv Klan