Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur të Martën për sqarim ambasadorin serb në vendin tonë Slobodan Vukčević, sa i takon deklaratave të bëra nga zv.kryeministri i Serbisë Aleksandër Vulin.

Ky i fundit ka thënë dje, referuar vizitës së kryeministrit Edi Rama në Athinë, se “Shqipëria e Madhe mund të ndalet vetëm nga bota serbe”. Kjo deklaratë sipas MEPJ, është provokuese, në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit.

“Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë. MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë.

Deklarata e plotë e Vulin:

“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë. Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë.”

Vlen të theksohet se kjo nuk është hera e parë që numri dy i qeverisë serbe përmend termin “Shqipëri e Madhe” për të ushtruar presion ndaj një shteti tjetër./tvklan.al