Kombëtarja shqiptare i mbylli me bilanc pozitiv dy testet miqësore të muajit qershor. Ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit, skuadra e trajnerit, Sylvinho u dëfrye jo pak në fushën e lojës, për të shënuar 6 gola në total, 3 në secilin 90 minutëshi.

Mesatare prej një goli çdo gjysmë ore loje dhe të ndara në një gol në pjesën e parë dhe dy në 45 minutëshin e dytë. Gola që mbajnë firmën e 6 futbollistëve të ndryshëm.

Një bilanc tepër i kënaqshëm pasi tregon nuhatjen vrastare të lojtarëve tanë, të gatshëm për të bërë mirë edhe në Kampionatin Europian. Broja, Asani e Muçi gjetën rrugën drejt rrjetës kundër Lihtenshtejnit, ndërsa përballë azerëve dhanë kontributin e tyre para portës Bajrami, Manaj dhe Laçi.

Garanci e jashtëzakonshme përpara një turne si Europiani, me sulmin kuqezi që ndez në momentin e duhur dhe kërkon të lë gjurmë edhe në takimet e grupit B kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Mesfushorët Asllani e Bajrami ishin të vetmit që luajtën të gjithë minutat e miqësoreve, duke treguar një nivel të lartë cilësie për të qenë edhe truri  ndërtues i aksioneve kuqezi. Sa i përket pjesës tjetër të të grumbulluarve, Sylvinho i dha hapësira të nevojshme për t’i parë në aksion, e për të krijuar një iluzion më të qartë nga aftësitë që kanë për të ndryshuar ritmin e një ndeshje Europiani.

Mirlind Daku, Armir Abrashi dhe Elhan Kastrati nuk morën asnjë hapësirë në këto takime, zgjedhje që për trajnerin janë ndikuar jo pak edhe nga numri i zëvendësimeve gjashtë vendosur nga UEFA. Tashmë fokusi zhvendoset tek takimi i parë në Euro2024, ajo e 15 qershorit kundër Italisë në Dortmund.

 Një 90 minutësh tepër vendimtar për vazhdimësinë kuqezi në turneun gjerman, kompeticion që do të përjetohet LIVE dhe ekskluzivisht në TV Klan.

Klan News