Shqipëria i hap rrugën ndërtimit të një ndër impianteve më të fuqishëm në kontinent për prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet erës.
Marrëveshja koncesionare e nënshkruar mesditën e së martës mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë italiane Moncada, i jep kësaj të fundit të drejtën për të ngritur në Karaburun një park eolik me rreth 260 turbina ere, që në total kapin një fuqi të instaluar prej rreth 500 megavatesh.
Investimi privat që arrin në 1 miliard euro është finalizim i një punë përgatitore mese 2 vjeçare.
Suzana Guxholli: “Projekti konsiston në një impiant me kapacitet prej 500 megavat. Kapacitet i cili është mese i tepërt për Shqipërinë, prandaj kuptohet prodhimi është për eksport dhe për në Shqipëri. Faza e parë nuk duhet ët shkojë më shumë se 2-3 vjet për të futur kapacitetet e para në punë. Në bazë të sistemit të certifikatave jeshile, pra energji ambientaliste që nuk ndot ambientin, në tregun e energjisë kjo paguhet më shtrenjtë, prandaj leverdia që kjo energji të eksportohet dhe me ato para të blihet energji e një forme tjetër.”
Ngritja në jug të vendit e mullinjve që transmetojnë fuqinë e erës në energji, sipas zonjës Guxholli nuk do të sjellë probleme për zhvillimin e turizmit.
Suzana Guxholli: “Po të shkosh në ishujt më elitarë turistik të Greqisë sheh që energjinë e prodhojnë me helika me erë. Pra ruajnë atë pamje natyrore që të mos ndotin ambientin dhe përdorin energjinë e erës për ndriçim.”
Kompania ka në plan edhe shtrimin e një linje interkonjeksioni mes të dy vendeve 157 km e gjatë, 130 nga të cilat kalojnë në kanalin e Otrantos.
Sipas kontratës koncesionare, kompania Moncada pasi t’i ketë ndërtuar do të mund të shfrytëzojë centralin e erës për 30 vjet, ndërsa linjën e interkonjekisonit për 20 vjet.
Krahas punësimit dhe të ardhurave tatimore përfitimi i Shqipërisë lidhet me linjën transmetimit të energjisë drejt Italisë, 20 % e këtij kapaciteti i takojnë Shqipërisë.
Po ashtu vendit tonë i kalon edhe 20% e fitimit që realizon kompania nga transmetimi i energjisë./tvklan.al