Pak orë para ndeshjes, gjatë paradites futbollistët e kombëtares shqiptare janë lënë të lirë nga tekniku në një shëtitje. Me kthimin në hotel De Biasi u ka njoftuar futbollistëve edhe formacionin që ka përzgjedhur për ta filluar që nga minuta e parë.
Në këtë ndeshje të rëndësishme italiani ka vendosur rreshtimin 4-4-2. Thoma Strakosha në portë. Në mbrojtje do të jetë Mavraj, Djimshiti, Aliji dhe Hysaj. Mesfusha i është Besuar Kukelit, Memushajt, Abrashit dhe Hykës. Në sulm do të jetë dyshja Roshi dhe Sadiku.
Edhe pse ka treguar formë të mirë dhe ka shënuar 7 gola me skuadrën e tij Akhisar Belediye Spor, De Biasi ka lënë në stol, Sokol Cikalleshin, i cili mund të luajë, gjithsesi, në pjesën e dytë.
Kombëtarja shqiptare do të shkojë në ndeshjen e sotme me shumë ngarkesë emocionale. Kuqezinjtë jo vetëm duan të fitojnë për të shpaguar humbjen e Elbasanit, synojnë vendin e tretë në renditjen e grupit që do t’i ndihmonte në shortin e europianit të ardhshëm, por ajo çka i ka turbulluar më shumë është deklarata e trajnerit i cili një natë më parë në konferencë për shtyp deklaroi prerë se nuk e mendon rinovimin me kombëtaren shqiptare duke treguar se i intereson më shumë të largohet.
/ TV KLAN