Christian Panucci nuk është parë asnjëherë aq optimist në një konferencë shtypi sa në këtë të dhënë një ditë para ndeshjes me Izraelin. Trajneri italian e ka bazuar optimizmin e tij tek seancat stërvitore me futbollistët në javën e fundit.
“Jam optimist se kam parë ekipin duke u stërvitur dhe është java më e bukur që kam përjetuar që kur u bëra trajner i Shqipërisë. Do të përpiqemi t’i vëmë në vështirësi. Nuk ka rëndësi nëse lojtarët e Izraelit janë të lodhur. Unë e bazoj optimizmin tim tek lojtarët e mi”.
Italiani nuk thotë se e ka fitoren në xhep, përkundrazi, e pranon se ndeshja do të jetë e vështirë.
“Izraeli kundër Skocisë ishte shumë ndryshe në krahasim me ekipin që luajti kundër nesh në Elbasan. Dukej sikur të ishte Skocia që luajti kundër nesh në Glasgow. Kanë cilësi të mira në ekip. Do të jetë ndeshje e vështirë për ne”.
Optimizëm shfaqi edhe kapiteni Mërgim Mavraj.
“Ne jemi shqiptarë, jemi optimist nga natyra jonë. Jemi stërvitur mirë”.
Izrael – Shqipëri do të luhet mbrëmjen e së dielës në Beer Sheva. Interesimi i publikut vendas për këtë takim është shumë i lartë. Raportohet se stadiumi prej 16 mijë vendesh do të jetë mbushur plot me tifozë.
Tv Klan