Për rreth 30 minuta i gjithë vendi mbeti pa energji elektrike mesditën e kësaj të premteje. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi se shkak i kolapsit u bë një avari që nisi nga linja e interkoneksionit me Greqinë.
Një gjë e tillë u pohua në një deklaratë për mediat edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Rezulton se volumet e mëdha në sistemet e transmetimit në këto momente, por gjithashtu edhe temperaturat shumë të larta në nivele rekord, kanë krijuar këtë lloj problematike teknike”, tha Balluku.
Një situatë e tillë nuk ka prekur vetëm Shqipërinë.
“Jemi informuar nga operatorët e tjerë të transmetimit në rajonin tonë se e njëjta situatë ka ndodhur edhe në Malin e Zi dhe pjesërisht në Kroaci dhe në Bosnjë Hercegovinë”, shtoi ministrja.
Pavarësisht se tashmë i gjithë vendi furnizohet me energji elektrike, Balluku thotë se vazhdojmë të jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë.
“Pasi volumet e transmetimit në linjat e interkoneksionit janë shumë të mëdha në këto momente dhe nga ana tjetër temperaturat do të jenë të tilla, në nivele rekord edhe në ditët në vazhdim”, u shpreh ajo.
Ministrja bën të ditur se po bëhet analiza e duhur teknike për ta mbajtur rrjetin të sigurt.
Tv Klan