Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Shqipëria gjatë disa viteve radhazi nuk i është shkëputur renditjes nga listat e vendeve shqetësuese përsa i përket tranzitimit të drogave të forta kryesisht heroinë, por edhe pastrimit të parave me prejardhje trafikun e drogës.

Në shumë prej raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit, ndër të cilët edhe ai i publikuar në Mars të këtij viti, Shqipëria renditet në grupin e shteteve, si Avganistani, Aruba, Argjentina, Bangladeshi etj, që i përkasin nivelit shqetësues për nga përmasat që ka marrë pastrimi i parave që vjen nga shitja e drogës. Madje në listën krahasuese të vendeve, ku bëhet pastrimi i parave, Shqipëria veçohet si një nga vendet ku nëpërmjet këtij aktiviteti kriminal bëhet i mundur edhe financimi i terrorizmit.

Edhe ish-presidenti i SHBA Bill Klinton, në një letër dërguar senatit kongresit në Nëntor të vitit 2000 shprehet, se droga e tipit heroinë me origjinë Azinë Jugperëndimore, nëpërmjet Turqisë, ka si end kryesor transiti Shqipërinë. Ndërkohë edhe raporti i fundit i OKB-së, e ka evidentuar Shqipërinë, si vendi që furnizon me drogë shumicën e vendeve të Europës.

E ndërsa ministria e rendit ka kërkuar sqarime nga shefi i OKB-së Kofi Annan për deklarimet që sipas saj janë të pavërteta, opozita ka reaguar ndryshe. Nënkryetarja e PD Jozefina Topalli e ka cilësuar deklaratën e OKB-së si një goditje për qeverinë shqiptare dhe ka deklaruar se zgjidhja e vetme do të ishte largimi nga detyra i ministrit të rendit./tvklan.al