Interpelanca me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu lidhur me sigurinë në shkolla pas vrasjes së 14-vjeçarit në afërsi të “Fan Nolit” është shoqëruar me debate dhe me akuza nga kahet politike.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu i është drejtuar opozitës, për të cilën është shprehur se po kthejnë dhimbjen për përfitime politike personale. Ndërkohë Ina Zhupës, i ka thënë se asaj nuk ja zgjidh dot hallin pasi sipas saj, kolegia demokrate në deklaratat politike shumëzohet me zero nga kryetari i partisë.

Ogerta Manastirliu: Kur i jepet përparësi politikës, ky është fundi i politikës si qëllim për njerëzit. Kjo interpelancë që ju më keni thirrur, ju nuk jeni e interesuar për të dëgjuar për përgjigjet dhe për atë që po bëjmë. Ju zgjidhni ta ktheni këtë dhimbje për përfitime politike personale. Kthehu nga kolegët dhe pyeti a të mbështesin. Kjo është kulmi i papërgjegjshmërisë dhe shfrytëzimit të Parlamentit për propagandë të ulët.

Ne nuk erdhëm në këtë vend dje dhe e dimë se kush e ka drejtuar këtë vend për 8 vite se si shkollat ishin si stalla, se si nxënësit u lanë në harresë. Kjo është një shpifje e ulët, një akuzë e frikshme ajo që thoni për Urgjencën e Traumës. Jetë e mot ka trajtuar traumat. Jeni bërë dezinformuesja numër 1 e publikut. Mos dezinformoni. Ndoshta do të kuptoni se janë zbatuar rregullat dhe ligjet e këtij shteti.

Për ju nuk ka rëndësi e vërteta, por vetëm spektakli. Të vërtetën nuk e mbyt dot zhurma e akuzave. Puna flet vetë, ndryshe nga ju që bëni vetëm zhurmë. Mos e ktheni dhimbjen e njerëzve në teatër politik. Shqiptarët e dinë mirë se kush punon dhe kush bën zhurmë. Shqiptarët do e japin përgjigjen në 11 Maj. Vetëm një paaftësi kam unë dhe grupi i mazhorancës, ty nuk ta zgjidhim dot hallin sepse edhe me deklaratat politike që bën, ju shumëzoheni me zero nga kryetari, shumë shpejt do të shumëzoheni me zero dhe nga qytetarët.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes demokrate, Ina Zhupa e cila e ka akuzuar ministren Manastirliu dhe qeverinë Rama me fjalën “hajdutë”.

Ina Zhupa: Çfarë dhembshurie flet ti që zhgërdhiheshe me Belindën? Çfarë dhembshurie flet ti kur mësuesit nuk përgjigjen në telefon? Hajde hajdute sepse po të presim, hajde moj, lëre ti… Zonja hajdute a mund të na thuash këtu…

Elisa Spiropali: Ju tërheq vëmendjen. Nuk mund ta përdorni atë fjalë.

Ina Zhupa: Mund ta përdor sepse e lejon rregullorja. A është akuzë që shkollat e Tiranës dhe Durrësit paguajnë prindërit 10 mijë Lekë në muaj për rojen? A është akuzë, që paguajnë prindërit në shkollat e Shqipërisë për ngrohjen? A është akuzë apo e vërtetë, prindërit paguajnë për ngrohjen dhe për rojen? A e ke lexuar ti çfarë thotë INSTAT se sa shumë pagujnë për arsimin publik falas?

Ti i vjedh paratë, të duhen ty paratë për zyra komode dhe kondicioner. Mësuesi paguan vetë internetin, gjithçka për të plotësuar ty sistemin që të thuash ti se je standarde evropiane. Mësuesit shqiptarë bëjnë akoma mësim me dërrasë të zezë. Në duhet të heqin Ramën që të ikësh ti dhe 17 hajdutët e tjerë. 17 hajdutë janë qeveria e Republikës së Shqipërisë.

/tvklan.al