Me keqardhje, por duhet pranuar. Ndaj Gjeorgjisë, Shqipëria mori atë çka meritoi. Në distancën e 3 ditëve, me pak stërvitje për shkak të kushteve fizike, kuqezinjtë nuk ngjanë aspak me ata të Pragës në ndeshjen kundër Ukrainës.
Me energji të shkarkuara, futbollistët e Shqipërisë nuk arritën të dilnin në lojën e tyre, nuk arritën të diktonin edhe pse patën mbështetjen e tifozerisë dhe mbi të gjitha, nuk arritën të godisnin asnjëherë në portë.
Mesfushorët nuk arritën të organizonin aksione edhe pse vrapuan shumë. Së bashku me mbrojtjen impenjimi më i madh ishte të ndërpriteshin veprimet sulmuese të Gjeorgjisë.
Freskia, loja e qartë dhe e sigurt e skuadrës kundërshtare ishte një tjetër faktor që e bëri Shqipërinë të vuante në këtë ndeshje.
Stafi teknik e kishte parashikuar dhe deklaruar se do të ishte e vështirë, madje deri në shënimin e golit, situata ishte thuajse e barabartë.
Një episod i vetëm vendosi fitoren e Gjeorgjisë, goditja nga jashtë zone e Kochorashvili ishte perfekte duke gënjyer Strakoshën se do të shkonte lart, por topi u përplas në pjesën e poshtme të traversës për të përfunduar në rrjetë.
Zëvendësimet e bëra pas pësimit të golit nuk sollën ndryshimin e dëshiruar të rrjedhës së lojës. Ndoshta pasi u bënë shumë vonë. Në ndeshje të tilla shpesh thuhet, ‘mbrëmje për t’u harruar’. Por në fakt kjo duhet regjistruar, analizuar mirë dhe shënimet e mbajtura duhet të bëhen mësime.
Nga ky moment synimet e Shqipërisë janë në rrezik. Gjeorgjia është në krye të grupit me 6 pikë të plota. Vendi i dytë në renditje kërcënohet tashmë nga Çekia që fitoi 3-2 me Ukrainën.
Tv Klan