Autoritetet shqiptare janë të angazhuara për të forcuar akoma më shumë bashkëpunimin me agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar.
Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla në konferencën e 51-të rajonale të Interpol për Europën e cila do të zgjasë 3 ditë, ku ai njoftoi edhe ngritjen e një agjencie të posaçme për gjurmimin e aseteve të krimit.
“Në ditët në vijim ne do të kalojmë në qeveri projektligjin për ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, e cila do jetë një instrument i shkëlqyer qoftë për të bashkëpunuar qoftë me Interpolin, qoftë dhe me agjencitë e vendeve partnere, për ta ndëshkuar krimin aty ku i dhemb më shumë, tek asetet e përfituara nga aktivitetet kriminale”, tha Balla.
Përpjekja për të çuar edhe më tej bashkëpunimin nga autoritetet shqiptare është vlerësuar dhe nga Presidenti i Interpol, Ahmed Naser Al-Raisi.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në operacione reflekton vlerat e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rrit sigurinë kibernetike. Në Evropë kemi kryer 4 operacione ku janë sekuestruar 505 automjete të vjedhura si dhe janë konfiskuar 2.3 tonë drogë ilegale”, tha ai.
Pavarësisht rezultateve të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, Sekretari i Përgjithshëm i Interpol, Jurgen Stock u shpreh se grupet kriminale vijojnë të jenë tepër të forta ekonomikisht.
“1.7 miliardë Euro janë të ardhura të përfituara nga krimi që janë kapur nga sistemi çdo vit. Kjo na jep të dhënë sa të pasur janë këto grupe kriminale”, tha Stock.
Ekstradimet e personazheve të botës së krimit nuk mund të mos prekeshin në këtë konferencë.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se po punohet intensivisht së bashku me Interpol për mos pasur në glob asnjë oaz ku fshihen personat e kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Tv Klan