Shqipërisë ju dorëzua sot udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Dokumenti fokusohet në katër çështje, sigurinë e dokumentacionit, migracioni ilegal, reni publik dhe siguria si dhe në marrëdhënien e çështjeve të jashtme lidhur me lëvizjen e qytetarëve.

Në 8 faqe përmblidhet sigurimi i kufijve me të dhëna elektronike për çdo lëvizje brenda apo jashtë vendit, pranimi i rezidentëve me vendet e treta, krijimi i strukturave adekuate për azilin, krijimi i kushteve për ta dhe familjarët e tyre, pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike dhe dokumenti i identitetit të sigurta sipas standardeve europiane.

Respektimi dhe garantimi me kushtetutë i mbrojtjes së të drejtave për minoritetet, miratimi i strategjive kombëtare me burime njerëzore dhe financiare të parashikuara për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikut të qenieve njerëzore. Bashkëpunim në këtë fushë për çështjen ndërkufitare me autoritetet policore, gjyqësore dhe doganore, ndërtimi i kapaciteteve për të luftuar pastrimin e parave, financimet ndaj drogës dhe terrorizmit si dhe parashikimi i sekuestrimit të pasurisë së kriminelëve.

Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave është fillimi i një procesi dhe jo fundi i tij, thotë drejtori i përgjithshëm për zgjerimin Michael Leigh. Ndaj është e rëndësishme që Shqipëria të punoj fortë për t’i plotësuar kërkesat që janë shkruar në të si sigurimi i kufijve i dokumenteve të udhëtimit ku Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme përpara në këtë pikë. Hapa të tjera nevojiten për respektimin e ligjit, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe një sërë masash të tjera të procesit me qëllim liberalizimin e plotë të vizave. Por Komisioni Europian do ta mbështes në këtë proces. Ne nuk presim, thotë Michael Leigh që Shqipëria t’i kryej vetë të gjitha detyrimet e kërkuara. Ndaj KE do ta ndihmojë atë jo vetëm financiarisht.

Gazetarja: “Hapja e dialogut të vizave dhe dorëzimi i udhërrëfyesit, është mesi i procesit të nisur për liberalizimin e plotë të vizave. Mbeten edhe 18 muaj kohë gjatë së cilës qeveria shqiptare duhet të plotësoj të gjitha kushtet e kërkuara nga vendet anëtare për heqjen e regjimit të vizave. Ndërkohë KE nuk do të jetë vetëm vëzhguesi i këtij procesi por do të jetë edhe asistenti i qeverisë shqiptare për të plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme sipas standardeve europiane”.

Sipas Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, Shqipëria po punon prej mese 3 vjetësh për plotësimin kritereve të kërkuara në udhërrëfyes, duke shtuar se brenda 3 muajve mbyllet regjistri civil, ndërkohë që dhe pasaportat biometrike do të bëhen së shpejti realitet.

Lulzim Basha: “Në një kohë shumë të shkurtër do të fillojë prodhimi i pasaportave biometrike, të cilat të lëshuar në bazë të regjistrit të ri elektronik të të dhënave të shteteve shqiptarë. Do të jenë të gatshme për qytetarët shqiptarë brenda një çështje muajsh. Pra një nga këto objektivat dhe mund të them një nga objektivat më të rëndësishëm është në prag të realizimit. Po kështu mund të thuhet se progresi i vazhdueshëm, i pa kthyeshëm dhe i provueshëm në fushat tjera është tashmë pjesë e gjykimit pozitiv nga progres-raportet vjetore të Unionit, të BE dhe janë fusha ku Shqipëria po konsolidon arritjet e 2 viteve të kaluara, 3 viteve të kaluara të tilla si lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar”.


Rezervat e Spanjës për firmën fituese të tenderit për pasaportat biometrike, janë rrëzuar nga KE me argumentimin se ajo do të kontrollojë këtë firmën europiane në të gjitha standardet e kërkuara./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj