Eqrem Ratkoceri nga Shkupi tani dhjetë vite jeton në Londër. Vitin e kaluar ka vendosur që me një pjesë të kursimeve të veta gjatë këtyre dhjetë viteve të blejë një truall në vendin Spille në Shqipëri.

Mirëpo për shkak të kufizimeve ligjore ka qenë i detyruar që këtë pasuri ta regjistrojë në emër të një familjari të tij me shtetësi shqiptare.

Andaj ai përshëndet paralajmërimin e kryeministrit shqiptarë Sali Berisha, për sjelljen e një vendimi sipas të cilit çdo shqiptarë do të ketë të drejtë të posedojë pasuri të patundshme në Shqipëri. 

Eqrem Ratkoceri: “Ky është një vendim shumë i qëlluar dhe është për t’u përshëndetur. Kjo i hap një rrugë një perspektive, në përgjithësi për diasporën shqiptare e cila është interesu për të bërë investime, ku deri tani kanë has vështirësi siç e dini dhe ju. Pikësëpari mund të them për eksperiencën time private, ku vjet kam arrit që të blej një parcelë toke mund të quaj kështu. Po fati që kisha familjarët e mi dhe arrita që në emrin e tyre ta qes atë pronësi”.

Ky vendim i qeverisë shqiptare pritet të stimulojë shumë shqiptarë nga Maqedonia në të ardhmen të investojnë edhe në sektorin e biznesit në Shqipëri. 

Eqrem Ratkoceri: “Me zhvillimet e përgjithshme ekonomike në Shqipëri dhe me mundësinë që të lejohen pasuritë të nxirren në emrin e çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, dmth është një çështje që mund të mendohet për investime të tjera, dmth për investime më kapitale në hoteleri apo në ndonjë biznes tjetër në Shqipëri”.

Në bazë të disa shifrave jozyrtare aktualisht 10 deri 12 mijë qytetarë nga Maqedonia posedojnë pasuri të patundshme në Shqipëri, të cilat i regjistrojnë në emër të familjarëve apo miqve të tyre që kanë shtetësi shqiptare.

Ata kryesisht posedojnë banesa ose ndonjë vilë në bregdetin shqiptarë. Një synim të këtillë ka edhe Selami Shabani, afarist nga Shkupi. 

Selami Shabani: “Dëshira ekziston, tash mundësitë janë diçka tjetër. Po nëse më jepet rasti një kapitali që të më afrohet në atë kuptim, një fitim kshu të them. Kam në plan që ta kem një banesë 1 dhomëshe në bregdetin tonë”.

Edhe pronarët e Agjencive të cilat tregtojnë me patundshmëri në Maqedoni përshëndesin paralajmërimin e kryeministrit Berisha për sjelljen e një vendimi sipas të cilit shqiptarët pa marrë parasysh ku jetojnë do të kenë të drejtë të posedojnë pasuri të patundshme në Shqipëri.

Ata presin fluks të vërtetë të qytetarëve shqiptarë nga Maqedonia për të blerë patundshmëri në Shqipëri, andaj paralajmërojnë se së shpejti edhe patundshmëritë nga Shqipëri do të gjenden në ofertat e tyre për qytetarët e Maqedonisë.  

Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu/tvklan.al