Lajme Arkiva 2003

Të gjithë emigrantët që kanë dorëzuar dokumentacionin për legalizimin e lejeve të qëndrimit të tyre në Greqi kanë filluar që prej ditës së djeshme të pajisen nga autoritetet greke me një vërtetim që ju lejon qëndrimin si emigrant të rregullt në tokën helene deri në 30 Tetor. Datë ku mendohet se do të përfundoj edhe procesi i legalizimit të dokumenteve të tyre. Por ky vërtetim nuk i siguron emigrantëve qarkullimin jashtë kufijve të Greqisë, gjë që bëhet pengesë për lëvizjen e tyre të lirë jashtë territorit grek deri në afatin kohor të vendosur nga Ministria e Brendshme Greke, pra deri në fund të muajit tetor.

Sipas drejtorisë së zyrës konsullore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme qeveria shqiptare nëpërmjet përfaqësuesve të saj në shtetin grek ka bërë maksimumin për të shtyrë afatin e dorëzimit të dokumenteve nga emigrantët shqiptarë, por kjo sipas autoriteteve greke është e pamundur, pasi për këtë vendim kërkohet miratimi nga parlamenti duke qenë se është shtyrë njëherë vitin e kaluar ky afat nuk mund të ketë një shtyrje tjetër.

Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme pohojnë se gjatë ditës së djeshme ministri Meta ka pritur në një takim ambasadorin grek në Tiranë dhe i ka kërkuar që të ndërhyjë pranë qeverisë së vendit të tij për gjetjen e një mundësie që emigrantët të tolerohen në pikat kufitare, ndërkohë që po sipas këtyre burimeve mësohet se sot ministri Meta do të zhvillojnë një bisedë telefonike me Papandrun për ti kërkuar që në këtë periudhë kur lëvizja e emigrantëve shqiptar nga Greqia drejt Shqipërisë është e madhe të mos krijojë pengesa për lëvizjen e tyre të lirë në pikat kufitare.

Ndërkaq ambasadori shqiptar në Greqi Bashkim Zeneli gjatë kontakteve që ka patur me shefin e diplomacisë shqiptare ka pohuar se asnjë nga emigrantët që kanë dorëzuar dokumentet nuk do të ngelen jashtë procesit të legalizimit./tvklan.al