Eurostat: Të parët në Evropë për numrin e martesave
A janë shqiptarët romantikë apo shumë tradicionalë? Statistikat e Eurostat i rezervojnë fronin shqiptarëve për numrin më të lartëve të martesave në Europë. Gjatë 2018-s në Shqipëri u lidhën 8.1 martesa për 1000 persona, ndërsa në Kosovë 9.6 martesa, thuajse sa dyfishi i të gjitha martesave në Bashkimin Europian. Sociologët shohin tek ky trend doza të traditës.
“Shoqëria shqiptare akoma është në kapërcyell, anon më shumë nga një shoqëri tradicionale. Shoqëria tradicionale kërkon siguri shtesë pasi e konsideron martesën sepse e konsiderojnë si një institucion shumë të rëndësishëm”, tha sociologu Gëzim Tushi.
A shërben martesa zyrtare si një garanci për çiftet e reja?
“Nuk duhet t’i shndërrojmë këto modulet e vjetra të lidhjes në martesë. Martesa është një lidhje emocionale, është një lidhje dashurore, është një lidhje shpirtërore, është një lidhje erotike, ka disa komponentë që nuk i garanton dot shteti”, tha Tushi.
Numri i lartë i martesave shoqërohet me një numër të madh divorcesh. Për sociologët, kjo është dëshmi emancipimi po aq sa dobësim i institucionit të familjes.
Sipas INSTAT, qarku me numrin më të lartë të martesave në 2018-n është Lezha, me 11.2 martesa për 1000 banorë, e ndjekur nga Berati me 9.9 martesa dhe nga Dibra me 9.4 martesa. Korçarët e serenatave rezultojnë më pak të martuarit me 6.5 martesa për 1000 banorë, të ndjekur nga kryeqytetasit.
Tv Klan