U mbajt dëgjesa e parë publike, për projektin fitues që shtëpinë e Libohovitëve, e cila ndodhet mes Kalasë së Tiranës dhe banesës së Toptanëve, do ta kthejë në muze dhe do të mbajë emrin Besa.
Këto janë projeksionet e asaj që do të jetë muzeu më i ri në Kryeqytet, nga studioja zvicerane Oppenheim dhe që i kushtohet periudhës kur shqiptarët mirëpritën në shtëpitë e tyre hebrenjtë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“E gjithë hapësira do të lidhet me njëra tjetrën, në mënyrë që mikrpritja të ndihet që prej fillimit për secilin vizitor. E gjithë ideja e Muzeut, është që ka ende dëshmitarë gjallë, dhe historia e tyre do të jetë historia e Muzeut, dëshmitë, rrëfimet, që kushdo që e viziton ta kuptojë dhe ta ndjejë histroinë përmes tyre. Godina është fatastike, dhe nuk do të bëjmë ndryshime thelbësore tek shtëpia e Libohovitëve”, tha Beat Huesler nga Oppenheim Architecture.
Projekti ka në fokus që mos prekë strukturën ekzistuese të godinave të vjetra, përpos procedurës së restaurimit dhe muzealizmit, ndërsa hapësirat e jashtme do të rikualifikohen, në mënyrë që të ekspozohet edhe në nëntokë. Muzeu “Besa” pritet të përfundojë pas dy vitesh, ndërsa bëhet i dyti muze pas atij të Vlorës, që do t’i kushtohet mbrojtjes së hebrenjve nga Holokausti.
Tv Klan