Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Arkiva e Shtetit zbulon për herë të parë dokumentet që vërtetojnë se arma që vrau Benito Musolinin ndodhet në Shqipëri. Madje kjo armë e modelit Mas, prodhimi i rrallë francez, ka qenë e ekspozuar për vite me radhë në Muzeun Historik Kombëtar, por asnjëherë ajo nuk është marrë seriozisht, ndoshta pasi nuk ishte e pajisur plotësisht me dokumentacionin e kërkuar.

Dokumentet e gjetura për shumë kohë kanë qëndruar në arkivat e Partisë Komuniste. Drejtori i Arkivës së Shtetit Shaban Sinani tregon, se pushka i është drejtuar Partisë Komuniste në vitin 1957, me rastin e 13 vjetorit të çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Dhuruesi është një deputet i asaj kohe Valter Aulisio, një nga 8 pjesëmarrësit në ekzekutimin e fashistit italian Musolini.   

Shaban Sinani: “Për këtë armë nuk ka pasur shumë informacion, dokumentet në mënyrë të veçantë kanë qenë në mënyrë të pa publikuara, vetë arma ka pasur pasaportën e vetë atje ku është ekspozuar. Unë mendojë se Shqipëria është zgjedhur për shumë arsye, se Shqipëria ishte një vend i afërt, ishte një vend ku në atë kohë udhëheqësit italianë vinin vit për vit dhe bënin pushimet në të njëjtat rezidenca ku pushonin dhe udhëheqësit shqiptarë, ishte një vend që ndryshonte prej të tjerëve dhe nga pikëpamja e raporteve që kishte me Italinë në periudhën antifashiste”.

Arma do të shfaqet kur të rikonstruktohet pavioni i antifashizmit në Muzeun Historik Kombëtar./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini