Mali i Zi dhe Maqedonia kanë njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur duke i dhënë një goditje të ashpër kështu Serbisë.

Në deklaratën e përbashkët të dy qeverive thuhet se vendimi për njohjen e Kosovës nga ana e Maqedonisë si vend me status të kandidatit për anëtarësim në BE dhe Malit të Zi si vend kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian është rezultati i vlerësimit politik të situatës.

Të dy vendet deklarojnë se do ta përkrahin ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës në funksion të krijimit të shoqërisë multietnike ku do të garantohen të drejtat e të gjitha bashkësive.

Të dy ish-republikat jugosllave i mbeten parimit për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, por edhe thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Serbinë.

Mbi të gjitha ato mendojnë se ky vendim do të sjellë stabilitet të përhershëm paqe dhe siguri në rajon, ku perspektiva evropiane dhe euroatlantike është e duhura.

Me Maqedoninë dhe Malin e Zi numri i përgjithshëm i shteteve në botë që e kanë njohur pavarësinë arriti në 50.

Menjëherë pas këtij vendimi Beogradi zyrtar tërhoqi ambasadorin e vet nga Podgorica dhe Shkupi dhe dëboi ambasadorët malazez dhe maqedonas.

Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, deklaroi se ishte tepër i zhgënjyer nga vendimi i dy vendeve fqinje.

Analistët politikë vlerësojnë se në shenjë hakmarrje Beogradi mund t’ia vështirësojë punët Maqedonisë në bisedimet me Athinën për çështjen e emrit.

Vendimi i Maqedonisë dhe Malit të Zi pritet të ftohë marrëdhëniet mes vendeve ballkanike që dikur ishin pjesë e Jugosllavisë.

Me këto dy vende mund të thuhet që tashmë Kosova është njohur nga të gjithë ish-republikat jugosllave, veç Bosnje-Hercegovinës.

Vetëm pak ditë më parë Serbia paralajmëroi Podgoricën se nëse do e njihte Kosovën kjo do të përbënte një thikë pas shpine për Beogradin.

Lajmi i njohjes nga Mali i Zi dhe Maqedonia bëri xhiron e botës duke u vlerësuar si tepër pozitiv për Prishtinën, sidomos pas vendimit të asamblesë së përgjithshme të OKB-së për të mbështetur nismën serbe që kërkon mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

I menjëhershëm ishte reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit që mirëpriti vendimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë, duke thënë se kjo do të ndihmojë të gjithë rajonin të lëvizë më shpejt drejt integrimit euroatlantik./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle