Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar marrjen urgjente te një plani masash për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Sipas tij policia rrugore është përgjegjësja kryesore e aksidenteve te shumta ne vend qe gjatë 2009-tës shkuan dhe me shume sesa një vit me pare.

Sali Berisha: “Çfarë fshihet prapa rritjes së aksidenteve? Absolutisht shkaku nr.1 është qëndrimi i papërshtatshëm i policisë. 65 aksidente më shumë se vitin e kaluar. Ky është një numër shumë i madh, ndaj dhe unë kërkoj një plan të qartë masash. Numri i aksidenteve mund të ulet. Nuk mund të pranoj unë situatën e krijuar në verë, kur aksidentet kalonin si top futbolli nga një komisariat në komisariatin tjetër.”

Ne lidhje me këtë çështje Ministri i Punëve te Brendshme, Lulzim Basha, deklaroi se nder reformat kryesore do të jetë ajo në policinë rrugore.

Lulzim Basha: “Detyra të tjera mbeten për t’u realizuar në ristrukturim. Reforma e policisë rrugore siç u përmend nga raporti i drejtorit të përgjithshëm mbetet një sfidë, e cila duhet të realizohet gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti në përputhje me studimet përkatëse duke marrë parasysh prioritetet dhe sfidat që ofron realiteti i sotëm dhe duke inkorporuar të gjithë prioritetet e punës sa i përket fuqizimit dhe përdorimit efektiv të teknologjisë në sfidën e policimit rrugor.”

Ne analizën e punës se policisë se shtetit, kryeministri është ndalur ne punën e uniformave blu dhe veçanërisht ne çështje të forcimit te kufijve si një kusht kryesor për liberalizimin e vizave.

Sali Berisha: “Ky vit shënon arritje të mëdha në modernizimin e kontrollit të kufijve dhe në tërësi të verifikimit dhe identitetit të qytetarëve shqiptarë. Sistemet moderne të vendosura në të gjitha qarqet e vendit bëjnë të mundur një kontroll më efikas të kriminalitetit”.

Kryeministri Sali Berisha u ndal edhe ne luftën kundër korrupsionit, drogës dhe mafies si dhe përgëzoi uniformat blu për rolin e tyre ne procesin zgjedhor./tvklan.al