Drejtues automjetesh pa rripa sigurimi, me fëmijë në sedijen e parë, motorë pa kaskën mbrojtëse, këmbësorë që kalojnë ku të mundin, makina që qarkullojnë me shpejtësi e duke shkelur çdo rregull të kodit rrugor edhe në qytet.

Është kjo panorama e një dite të zakonshme në Tiranë, qytetin me trafikun më të dendur në vend, parë nga kamera jonë e fiksuar në një prej makinave të patrullës së policisë rrugore.

Këto janë edhe shkaqet kryesore të aksidenteve, siç na pohojnë drejtues të policisë. Dhe këto shkelje e kanë rritur me 12 % numrin e tyre në krahasim me muajt e tjerë të këtij viti.

Ferdinand Tereziu: “Kemi një tendencë në rritje të aksidenteve të ndodhura të cilët … me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve dhe pasagjerëve. Këto aksidente që kanë ardhur, kanë ardhur më tepër për shkak të një kategorie e përdoruesve të rrugës të cilët janë të pa përgjegjshëm për të zbatuar normat e sjelljes të përcaktuara në kodin rrugor.”

Vetëm për muajin Qershor të këtij viti në vend janë regjistruar 126 aksidente me 33 viktima dhe 35 të plagosur rëndë.

Në vit, aksidentet rrugore shkaktojnë në Shqipëri, 300 viktima, shifër kjo e krahasueshme me vrasjet e kryera nga organizata mafioze, Kamorra.

Ferdinand Tereziu: “Unë i bëj thirrje të kenë kujdes që gjatë drejtimit të mjetit të zbatojnë normat e sjelljes të përcaktuara në kodin rrugor.”/tvklan.al