Aksidentet rrugore vazhdojnë të përgjakin rrugët e vendit, e sërish shkak bëhet shpejtësia mbi normat e lejuara.
Bilancit tragjik me 8 viktima të aksidenteve të Durrësit i shtohet një viktimë, në Fier.
Në orët e vona të mbrëmjes së të martës një 20-vjeçar humbi jetën pasi, teksa po udhëtonte me një motoçikletë, ai ka goditur me shpejtësi një kamion, në anën e pasme të tij.
Ngjarja ndodhi në rrugën kombëtare Fier-Roskovec. Viktima është Arjol Kotherja.
Ai gjeti vdekjen pasi u dërgua në spital, për shkak të plagëve të rënda. Sipas policisë rrugore, krahas shpejtësisë, shkak për këtë aksident është bërë edhe mungesa e sinjalistikës, jo vetëm ajo në rrugë.
Siç mund ta shikoni, kamioni i tonazhit të rëndë nuk ka asnjë sinjal funksional.
Vetëm 4 ditët e fundit në vend kanë humbur jetën 10 persona dhe 16 të tjerë janë plagosur, në Durrës, Fier e Lushnje.
Në të gjitha këto ngjarje të rënda, shkak është bërë shpejtësia dhe mosrespektimi i kodit rrugor./tvklan.al