Lajme Arkiva 2003
Numri i pushuesve drejt vendin ka arritur kulmin e deri tanishëm. Sot kanë hyrë ne vend nëpërmjet portit detar të Durrësit mbi 3000 persona ndërkohë që e diela arriti kulmin e fluksit mbi 3800 persona. Shumica dërrmuese e tyre janë nënshtetas kosovarë që para se të marrin rrugën për në vendlindje qëndrojnë në Shqipëri për të kaluar pushimet.
Pushues: Erdhën në plazh për të pushur, tani do vazhdojmë rrugën për në Kosovë.
Gazetarja: Pse zgjodhët Durrësin?
Pushues: Kuptohet, se është bregdeti jon shqiptar, vend turistik. Normale çdo shqiptar ka dëshirë të vijë këtu.
Fluksi i udhëtarëve ka çuar në rritjen e masave për pritjen e tyre. Agjencitë e udhëtimit kanë shtuar numrin e trageteve nga 4 në ditë që zakonisht preknin portin detar të Durrësit tani numri i tyre ka shkuar në 6.
Shpejtësia e punimit të trageteve është shtuar, janë ngritur dy pika të veçanta të kontrollit njëra për automjetet e tjetra për njerëzit, të cilat kanë shpejtuar procesin e daljes nga porti. Në këtë drejtim ka ndikuar edhe vënia në punë para 3 ditëve e aparaturave që mundësojnë kontrollin kompjuterik të bagazheve.
Megjithatë ky fluks pritet të shtohet gjatë javës së ardhshme. Atëherë do të fillojë dyndja e emigrantëve tanë nga Italia apo edhe nga vendet e tjera të Europës. Nga eksperienca e vitit të kaluar në një ditë të vetme mund të vijnë deri në 10 mijë persona.
Mësohet se uniformat blu të portit kanë marrë edhe orarin e ri të lëvizjes së trageteve për fundin e këtij muaji, por përveç udhëtarëve problem paraqet edhe numri i madh i automjeteve që hyjnë dhe për këtë te terminali i trageteve është hapur një hyrje e dytë vetëm për makinat./tvklan.al