Një sasi tritoli i është vendosur një lokali në Fushë-Krujë mëngjesin e ditës së sotme.

Policia njoftoi se si pasojë e shpërthimit është dëmtuar plotësisht fasada e jashtme te lokalit në pronësi të Bledar Talit. Dëmtime, përveç fasadës së jashtme, ka edhe brenda lokalit.

Biznesi për shumë kohë ka qenë i mbyllur. Së fundmi pronari po punonte për të rinisur aktivitetin aty.

Pronari i biznesit ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri dhe nuk i di arsyet pse mund të ketë ndodhur ngjarja.

Ndërkohë hetuesit po vijojnë hetimin në disa pista. Ndër to edhe konfliktet e mundshme, madje edhe jashtë shtetit ku ka jetuar dhe punuar vitet e fundit pronari.

Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit. Policia thotë se ai ka qenë i maskuar dhe pas ngjarjes ka lëvizur në zona të ndryshme të Fushë Krujës. /tvklan.al