Raundi i 8 teknik i negociatave me Bashkimin Evropian do të zhvillohet, jo në datën 29 shtator, por në 21 tetor, ndërsa raundi politik do të zhvillohet në 22 tetor. Për ministrat socialistë shtyrja e afatit bëhet për arsye teknike ndërsa opozita pretendon se në këtë vendim ka ndikuar dhe ngadalësimi i reformave.
Ermelinda Meksi: “Për arsye të krijimit të komisionit të ri të ngarkesës së madhe në Komisionin Evropian, për arsye se në javën e ardhshme në vend që të vinin në Shqipëri ekspertët e komisionit janë të angazhuar me punë në ristrukturimin e detyrave të drejtorive përkatëse, në komisionin e ri evropian është propozuar data 21 tetor. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dashur dhjetëra dhe qindra vjet, ndërsa Shipëria, e cila ka një ambicie të madhe të arrijë Evropën në një kohë të shkurtër, duhet të ketë po aq ambicie dhe po aq përkushtim që vetëm me punë ta plotësojë këtë distancë të madhe që realisht ne sot kemi nga Evropa. Po nuk njohëm me realizëm distancën reale të Shqipërisë nga Evropa, startin me të cilin Shqipëria e ka filluar këtë proces afrimi me Evropën, ne asnjë herë nuk do të jemi realistë.”
Marko Bello: “Kjo gjë është shumë banale, shumë rutinore. S’ka se si të ketë ndikuar Salzmann, sepse ky është një problem teknik.”
Fatmir Mediu: “Pengesat në procesin e integrimit nuk janë pengesa të rastësishme, duket që në politikat e institucioneve shqiptare ka një grup tashmë të organizuar që nuk është i interesuar për integrimin evropian, një grup i cili ka krijuar parajsën nëpërmjet veprimeve ilegale dhe afrimi me Bashkimin Evropian do të thotë rregulla loje dhe veprime brenda këtyre rregullave që nuk i interesojnë këtij grupi.”/tvklan.al