Gjykata Speciale: Shkak, arsye organizative
Gjykata Speciale ka shtyrë seancën proceduriale ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve e cila ishte parashikuar të mbahej të enjten.
Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se seanca është shtyrë për datën 16 Shkurt. Sipas zyrtares për media në Gjykatën Speciale, kjo ka ndodhur për çështje organizative.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka rivendosur për mbajtjen e seancës për arsye organizative, pas konsultimit të bërë me palët”.
Por ndryshe mendon ish-këshilltari i ish-Presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj. Ai këtë shtyrje e ndërlidh me mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë duke thënë se ky është një kalkulim politik nga gjykata.
“Me publikimin e njoftimit për ngritjen e aktakuzës ende pa u konfirmuar, Gjykata Speciale bëri gjeopolitikë. Me shtyrjen e paraqitjes së tyre para Gjyqtarit të Procedurës, sepse jemi në prag të ditës së zgjedhjeve, Gjykata Speciale bëri kalkulim politik. Po i frikësohen paraqitjes së Hashim Thaçit e Kadri Veselit edhe në Dhomat Speciale në Hagë. Po druhen që prezenca mediale 1-ditore e tyre ndikon te votuesit dhe ua prishë atyre skenarin politik, që po mundohen ta jetësojnë në emër të drejtësisë. Kjo është dëshmi tjetër që largimi i tyre nga skena politike në emër të drejtësisë ishte dhe mbetet tërësisht i sinkronizuar”.
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë arrestuar më 5 Nëntor, ndërsa po ballafaqohen me aktakuza për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë.
Tv Klan